Eksperti i telekomunikacionit, Naim Maloku, Foto: Kallxo.com

Eksperti i telekomunikacionit: Unë nuk do ta kisha nënshkruar kontratën me Z-Mobile

Naim Maloku, i cili ishte ftuar për të dëshmuar në cilësinë e ekspertit të telekomunikacionit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ka thënë që si profesionist nuk do të nënshkruante kontratën me Z-Mobile.

“Nga prespektiva profesionale, nëse do të ishte kompania ime nuk do e kisha realizu një kontratë tillë”, ka deklaruar Maloku.

Maloku theksoi se PTK ka pasur mundësi që krijonte vetë një operator virtual dhe përmes saj me qenë prezente në pjesën veriore të Kosovës ku nuk ka pasur mundësi të jetë vetë prezente.

“Edhe çka kish ndodhë, nga një xhep paratë kishin kalu në një xhep tjetër, ish rrit qarkullimi, ish rrit dividenta”, ka theksuar Maloku.

Më tej, eksperti Naim Maloku është shprehur se në këtë rast në bazë të njohurive që ka, Z-Mobile i shfrytëzon infrastrukturën dhe frekuencat e Telekomit. Sipas tij Telekomi do të duhej të llogariste shpenzimet për të parë nëse kontrata me ta do të ishte e leverdishme.

“Duhet me i llogaritë shpenzimet nga shfrytëzimi i infrastrukturës dhe shpenzimeve të tjera. Të njëjtën logjikë është dashtë me ndjekë edhe Telekomi, është dashtë me i kalkulu shpenzimet”, ka thënë Maloku.

Maloku ka potencuar se PTK-ja ka qenë një ndërrmarrje shumë fitimprurëse, duke pasur parasysh që ka filluar e para, e ka pas përparësinë e të parit në treg. Gjendjen e Telekomit, Maloku ia ka fatururuar menaxhmentit.

“Me pas të gjithë atë kapital duhet me ndodhë diçka me ra në këtë gjendje ku është. Mendoj që gjendja në Telekom nuk lidhet vetëm me një kontratë por lidhet me komplet menaxhimin. Në Telekom ka ndodhë që nga futja e konkurencës ka ndodhë degradimi”, ka shtuar Maloku.

Eksperti i telekomunikacionit, Naim Maloku ka theksuar se po të kishte biznes edhe atij do t’i konvenonte një kontratë e tillë si ajo e Z-Mobile, por ndryshe është për një ndërmarrje publike.

“Kur je në një ndërrmarje duhesh me vepru si me qenë kapitali juaj. Kjo ka ndodhur edhe me shtimin enorm të burimeve njerëzore. Si menaxhment është dashtë me marrë masa. Nëse ke burime të brendshme dhe nuk i shfrytëzon nuk ke nevojë me angazhu kompani të jashtme”, ka përfunduar Maloku.

Pas ekspertit Naim Maloku, Komisioni filloi të intervistojë ekspertin tjetër të telekomunikacionit, Ismet Hamiti.

Hamiti deklaroi se një ndër shkaktarët e gjendjes së Telekomit sot është kontrata me Monako Telekomin. Hamiti e ka quajtur krim kontratën me Monako Telekomin.

Gjatë dëshmisë së Hamitit, disa prej deputetëve u larguan nga salla ku po mbahej takimi. Si rrejedhojë e kësaj në sallë ishin të pranishëm vetëm 5 deputetë. Mungesa e kuorumit pamundësoi vazhdimin e kësaj mbledhje. Vazhdimi i këtij takimi u shty për një afat të pacaktuar.

Me rendin e ditës sot ishte paraparë të intervistohej edhe eksperti tjetër Agron Dida, por për shkak të mungesës së kuorumit, Dida do të japë dëshminë e tij në takimin e radhës.