Haradinaj: Kosova, bazë e 'Eurowings' për Europën Juglindore

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka njoftuar se Kosova është bërë nikoqir i bazës së parë në Europën Juglindore, për kompaninë prestigjioze Eurowings.

Sipas tij, kjo kompani është pjesë e Lufthansa Group me qasje në Star Alliance, grupi i parë dhe më i madh i linjave ajrore ndërkombëtare.

“I lumtur të kuptoj, përmes Drejtorit Gjeneral të kësaj kompanie, Thorsten Dirks që Eurowings e zgjedhë Kosovën si bazën e saj për të operuar në rajon dhe për të ofruar mundësi të shumta dhe konkurruese në tregun e aviacionit ajror. Nga ky operim, përveç linjave direkte të reja dhe shtimit të linjave ndërlidhëse, Kosova po shndërrohet në pikë orientuese dhe bazë për zhvillim dhe investime të huaja, me theks të veçantë investimet gjermane.”, ka thënë kryeministri.

Haradinaj ka theksuar se ky është një lajm i gëzueshëm për Kosovën, si dhe dëshmi e përkushtimit për rikthimin e besimit të plotë dhe fuqizimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë.

“Lajmi i sotëm, do t’i paraprijë një investimi tjetër që do të rezultojë me hapjen e rreth 300 vendeve të punës, përmes Akademisë që Eurowings dhe Eurokoha, do ta hapin nga muaji shtator 2019, për trajnimin e stafit dhe ekuipazhit. Urime Kosovë! RH”, përfundoi i pari i Qeverisë.