Haradinaj: Investitorët në Kosovë kanë partner dhe nuk janë vetëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në vizitën që sot i bëri Ndërmarrjes së re Ferronikeli, foli lidhur me rëndësinë e investimeve në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, pasi falënderoi Grupin Balfin për investimin në Ndërmarrjen Ferronikeli, tha se kjo kompani është një prodhues dhe eksportues i madh, si dhe investim me rëndësi për Kosovën.

“Janë disa vështirësi që do t’i kalojmë bashkë. Janë 800 të punësuar të rregullt dhe është interes i yni që vështirësitë që i kemi t’i tejkalojmë bashkë. Njëkohësisht, është interes i yni të përçojmë porosinë që investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, theksoi Haradinaj

Drejtori i Balfin Group, që tash ka në pronësi kompaninë “NeëCo Ferronikeli”, Samir Mane, e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, ku e njoftuan nga afër me ambientin, prodhimin në Ferronikel.

“ Po ashtu diskutuam edhe planet për të ardhmen për një bashkëpunim më të madh si me qeverinë lokale por edhe atë qendrore”, tha z. Mane.

Më pas kryeministri i Haradinaj i shoqëruar nga Presidenti i Grupit  Balfin, Samir Mane, dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vizitoi departamentin e prodhimit ku pa nga afër procesin e prodhimit dhe nga përfaqësuesit u njoftua me procesin e punës dhe përpunimit të metalit në këtë fabrikë.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu ka vizituar edhe mensën e Ferronikelit, ku ka drekuar bashkë me punëtorët e kësaj fabrike.