07.06.2019

Haradinaj e konfirmon se ka folur me komedianët rusë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar se gjatë një bisede ku kishte menduar se është duke folur me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, ai ka folur me dy komedianët rusë

“Kam folur me Poroshenkon në telefon. Por kam folur edhe me komikët”, ka deklaruar Haradinaj.

Më tej ai ka thënë se biseda që e ka bërë me dy komedianët nuk ka dalë nga shabllonat që i bëjmë ata zakonisht.

Tre muaj më parë, kryeministri, Ramush Haradinaj kishte rënë pre e telefonatave të rrejshme të dy komedianëve rusë, Vovan dhe Lexus, të cilët i janë prezantuar kryeministrit në emër të atëherë presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Pas bisedës telefonike, Haradinaj kishte shkruar në Twitter në lidhje me bisedën me Porosheknon, duke menduar se kishte biseduar me të.

“E uroj popullin ukrainas për zgjedhje të lira dhe demokratike. Mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e ardhshëm Vovan Lexusov i dëshirojë të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë së bashku si popuj të lirisë dhe prosperitetit”, kishte shkruar Haradinaj.

Së fundmi është publikuar edhe biseda e dy komedianëve me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Edhe Zaev ka rënë pre e tyre dhe gjatë bisedës ka pyetur ata në lidhje me planin për ndarjen e Kosovës dhe marrjen e 10 komunave të Kosovës nga Serbia.

Pre e dy komedianëve ka rënë edhe artisti britanik Elton John.

https://kallxo.com/pergjimi-i-zaev-it-thaci-e-vuciqi-negociuan-per-ndryshim-kufijsh/