Hapet Panairi i 21-të i librit në Prishtinë

Mijëra botime në gjuhën shqipe, kryesisht letrare, publicistike, historike, por edhe të mendimit pozitive e fetare, e më pak shkencore e teknologjike, janë prezantuar sot nga botues shqiptarë në dy anekse të Pallatit të Rinisë në Prishtinë në kuadër të Panarit të 21-të të Librit – “Prishtina 2019”.

Botime të emrave të njohur të letërsisë botërore e asaj shqiptare janë ekspozuar në rreth 100 stenda të botuesve të ndryshëm, duke përfshirë edhe botime të bëra enkas për këtë Panair.

Në Panair është ekspozuar vëllimi i 8-të  i ditarëve të Rexhep Qosjes, “Dëshmitar në kohë historike”, romanin “Gënjeshtarë të vegjël”  të Fatos Kongolit, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, pastaj libri i ish-zonjës së parë të ShBA-së, Mishel Obama, “Të bëhesh”.

Nuk mungojnë edhe librat e Kadaresë, apo edhe të autorëve kosovarë të sjellë nga shtëpitë botuese kosovare, si libri ‘Shtatë udhë” i Rrahman Paçarizit, botuar nga SHB “Armagedoni”, etj.

Një pjesë e mirë e botimeve që po prezantohen në kuadër të panairit, u janë dedikuar edhe fëmijëve, sikurse libri “Pasoje topin! thërret Kosja” i autorëve  Anja Gatu Maria Kallstrom botuar nga ShB “Magjia e librit”, libër që është frymëzuar nga fëmijëria e Kosovare “Kose” Asllanit, futbollistes së njohur nga Suedia me origjinë nga Kosova.

Panairi i përvjetorëve

Panairi i 21-të i librit në “Prishtina 2019” që organizohet nga ShBK-ja, është hapur sot në prani edhe të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozit.

Ky edicion është përfshirë edhe në kalendarin e aktiviteteve që po mbahen  për shënimin e  20 aktiviteteve të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka pohuar për Kallxo.com se këtë edicion po marrin pjesë rreth 100 botues me mbi 1.500 botime.

Ndërsa ka thënë se panairit të sivjetmë nuk do t’i mungojnë edhe shkrimtarët e ftuar enkas, të cilët do të kenë mundësi të komunikojnë me lexuesit e tyre.

“Sivjet do ta kemi shkrimtarin Juan Asensio nga Franca, Fatos Kongolin nga Tirana. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate”, ka potencuar Zeneli.

Botimet bestseller

Artin Ahmeti nga libraria “Artin”, që përfaqëson disa prej shtëpive botuese, si “Toena”, ka pohuar për Kallxo.com se libraria “Artini”, prezantohet me një mori botimesh të reja, sikurse ditari i Qosjes apo romani më i ri i Fatos Kongolit apo bestsellerin “Të bëhesh”.

Ai ka thënë se ‘Artini” këtë edicion ka një ofertë mjaft të pasur për lexuesit, ku përveç botimeve si: “Muhaxhirët” të Bejtullah Destanit, “Dëshmitar në kohë historike” të Oosjes, apo edhe veprën e Mishel Obamës, “Të bëhesh”, do të sjellë edhe vepra me karakter shkencor.

“Stendat në përgjithësi këtë edicion janë mjaft të pasura me botime, sidomos botime të reja, edhe në keni një sërë botimesh të reja me interes, si romanin e Fatos Kongolit, apo bestsellerët ‘Të bëhesh’ e Mishel Obamës, dhe ‘Hipi’ të Paolo Koelos”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq Teuta Sinanaj nga shtëpia botuese “Magjia e librit” e fokusuar në botimet për fëmijë ka pohuar për Kallxo.com se kjo shtëpia botuese po prezantohet me një sërë botimesh për fëmijë.

“Si SHB kemi botuar 17 libra për fëmijë enkas për këtë panair sikurse serinë e librave ‘Pax’, me shumë histori interesante për fëmijë, që preferohet për fëmijët nga moshat nga 9 deri 14 vjeçare, apo librin pastaj  librin një “Pasoje topin! thërret Kosja” frymëzuar nga fëmijëria e Kosovare Asllanit, futbollistes së njohur nga Suedia me origjinë nga Kosova”, ka thënë Sinanaj.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga 9.00 -20.00, dhe zgjat deri më 9 qershor.