Sociologia dhe aktivistja për të drejtat e grave, Sibel Halimi, Foto: Sibel Halimi/Facebook

Halimi: Dorëheqja e Reshitajt, tregues i vështirësisë së përfshirjes së grave në politikë

Sociologia dhe aktivistja për të drejtat e grave, Sibel Halimi ka reaguar pas dorëheqjes së ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

Ajo ka thënë se dorëheqja e saj lë në duar të burrave udhëheqjen e vendit.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë nuk ka ndodhur të jetë një përbërje e tillë gjinore, vetëm një grua në vendimmarrje”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Halimi është shprehur se kjo gjendje është tregues për vështirësinë e përfshirjes së grave në jetën publike.

“Sa nga barrierat që i vendosë shoqëria në përgjithësi, po aq nga fryma maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë”, ka thënë Halimi.

Albena Reshitaj dje e ka bërë publike dorëheqjen e saj nga posti i ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në një postim në profilin e saj në Facebook, ministrja Albena Reshitaj ka thënë se dorëheqjen e ka ofruar për shkaqe personale.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të sociologes dhe aktivistes për të drejtat e grave, Sibel Halimi.

Dorëheqja e ministres Reshitaj lë në duar udhëheqjen e vendit me gati njëqind për qind nga burrat. Në historinë e qeverisjes në Kosovë nuk ka ndodhur të jetë një përbërje e tillë gjinore, vetëm një grua në vendimmarrje. 

Kjo gjendje është tregues për vështirësinë e përfshirjes së grave në jetën publike, sa nga barrierat që i vendosë shoqëria në përgjithësi, po aq nga fryma maskuliniste e misogjiniste e politikanëve në Kosovë. 

Kjo strukturë qeverisje me këtë përfshirje simbolike të grave duhet të shtroj nevojën urgjente për një për zbatim të kuotës gjinore. Në të gjitha nivelet qeverisjes së vendit ku nuk është përfshirë kuota dhe përfaqësimi i gruas është lënë në vullnetin dhe përzgjedhjen nga ana e politikanëve mbizotëron një situatë e tillë. 

Pra, gratë duhet të inkurajohen të jenë prezente në të gjitha nivelet me përfaqësim në politikën e brendshme e të jashtme, duke heqë dorë nga retorika qeverisëse e cila mburret me konfirmimin e faktit se Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar në sferën e të drejtave të grave, por të bëhen veprime konkrete në përmirësimin e pozitës së saj në të gjitha nivelet, rrjedhimisht të ndërrohet mentaliteti i odave, e cila po e karakterizon këtë qeverisje që nga fillimi i mandatit të saj! 

Për një qeverisje dhe shtet modern!