Rigjykimi për vrasje - Foto: KALLXO.com

Gruaja e viktimës: Mentori shkoi për t’i marrë paratë që ia kishte borxh i akuzuari

Në gjykimin për vrasje, i akuzuari Kreshnik Haliti tha sot në Gjykatën e Pejës se ndihet i pafajshëm për veprat që i vihen në barrë.

“I pranoj veprimet, por nuk pajtohem me kualifikimin juridik të veprës penale që më ngarkon aktakuza”, deklaroi i akuzuari për vrasjen e Mentor Zekajt.

Prokurori i çështjes, Ardian Hajdaraj,  në fjalën hyrëse tha se do të vërtetohet se akuza është e bazuar, do të vërtetohen veprimet inkriminuese të të akuzuarit, rrethanat, mënyra dhe motivi i kryerjes se veprës penale nga i akuzuari Kreshnik Haliti.

“Gjatë këtij shqyrtimi do të administrohen një mori provash materiale, të cilat në tërësi  do të vërtetojnë se akuza është e bazuar, do të provohen veprimet inkriminuese të të  pandehurit, rrethanat në  të cilat janë kryer këto dy vepra penale nga i akuzuari, mënyra si është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës”, tha prokurori Hajdaraj.

Po ashtu, ai tha se do të vërtetohet se ditën kritike i akuzuari e ka privuar nga jeta Mentor Zekajn, se i njëjti është kacafytur me viktimën dhe pasi që e ka privuar nga jeta me armë zjarri, është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Me dëshminë  materiale – letrën e gjetur në xhepin e viktimës, si dhe dëshminë e dëshmitarëve Mirjeta dhe Driton Zeka do të provohet pa mëdyshje se motiv i kësaj vrasjeje ka qenë pasuria”, deklaroi prokurori Hajdaraj.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha në fjalën hyrëse ndër të tjera konstatoi se i mbrojturi i tij është privuar nga e drejta ligjore për lidhjen e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, si dhe faktin se e tërë mbrojta e tij do të drejtohet në faktin e cilësimit të gabuar të veprës penale, për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

“Klienti im është privuar nga një e drejtë ligjore, siç është marrëveshja mbi pranimin e fajësisë për veprimet e tij, ani pse një institut i tillë është i mundur në çdo kohë, dhe i mbrojturi im gëzonte të drejtën të realizojë ketë para shqyrtimit gjyqësor, por që Prokuroria vendosi që as këtë të mos e plotësojë, dhe me apo pa dashje sot me një aktakuzë tërësisht të njëanshme detyrohemi t’i hyjmë këtë procesi gjyqësor.  E gjithë mbrojtja jonë është në një fakt të vetëm dhe atë nuk ka motiv për të cilin parashtrohet, nuk ka vrasje për te cilën akuzohet dhe nuk duhet ketë cilësim të tillë për të cilin gjykohet”, deklaroi avokati Berisha.

Në këtë seancë gjyqësore është dëgjuar si dëshmitare  bashkëshortja e të ndjerit Mentor Zekaj, Mirjeta Zekaj.

Dëshmitarja rrëfeu para trupit gjykues se ditën kritike përderisa ishte në shtëpi me Mentorin, i akuzuari Kreshnik Haliti e ka thirrur në telefon Mentorin dhe ai është nisur menjëherë për t’u takuar me Kreshnikun. “Për t’i marrë paret që Kreshniku ia kishte Mentorit”, tha ajo.

Një dëshmitar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit meqë avokati Besnik Berisha u tërhoq nga një propozim i tillë.

Në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe Art Muqaj, i cili para trupit gjykues tregoi se ditën kritike pasi ka dalë në vendin e ngjarjes ka thirrur  Policinë. Sipas tij, i akuzuari me të ndjerin kanë pasur raporte shumë të mira shoqërore.

Prokuroria akuzon Kreshnik Halitin se më 6 mars 2017 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore godet me armë disa herë tani te ndjerin Mentor Zekaj dhe një herë me brisk, duke e privuar nga jeta.

Kreshnik Haliti në korrik te vitit 2018 ishte dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më  12 shtator.