Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

Gjykimi për Vjedhjen e Rrymës, Rasti Procedohet në Ndërmjetësim

Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar sot propozimin e të akuzuarës R.Xh. që rasti i saj të procedohet për ndërmjetësim.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon R.Xh. se prej datës së pacaktuar deri në janar 2015 më qëllim që vetës t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme ka shfrytëzuar në mënyre të paautorizuar energjinë elektrike jashtë pikës matëse (pa njehsor elektrik).

Sipas aktakuzës, e njëjta i ka shkaktuar KEDS-it dëm prej 355.03 euro. Bazuar në atë që thuhet në aktakuzë kjo është vërtetuar nga zyrtarët e KEDS-it.

Me këtë ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale“, raporton kallxo.com.

E pandehura në seancë tha se nuk e mohon faktin se ajo e kishte nënshkruar raportin e KEDS-it të katër familjeve të cilat sipas saj banojnë në një qendër kolektive dhe kanë qenë të kyçura pa njehsor elektrik, por se ky dëm nuk ishte shkaktuar nga ajo, por nga të gjitha këto familje.

Ndërsa sot në Gjykatë e pandehura shprehu gatishmërinë e saj që procedura të vazhdojë në Qendrën e Ndërmjetësimit me qëllim  të arritjes se një marrëveshjeje me KEDS-in.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokurorja e rastit Fikrije Sylejmani dhe u aprovua nga gjyqtari Bekim Veliqi, raporton KALLXO.com.

Veliqi gjithashtu njoftoi se seanca e sotme shtyhet në afat të pacaktuar ndërsa Qendra e Ndërmjetësimit obligohet që t’i ndërmarrë veprimet e duhura brenda afateve ligjore, ndërsa Gjykata të njoftohet në shkrim për procedimin e mëtutjeshëm.