Dardan Molliqaj - Foto: Facebook/DardanMolliqaj

Gjykata: Molliqaj iu kishte shmangë ftesave të Prokurorisë për intervistim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar përmes një komunikate për urdhër arrestin ndaj deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas njoftimit, urdhër arresti për Dardan Molliqajn ishte për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

“Prishtinë, 13 maj 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal ka lëshuar urdhër arrest kundër të pandehurit D.M për shkak të veprës penale Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, deputeti Molliqaj gjatë fazës së hetimeve nuk u ishte përgjigjur ftesave për intervisim.

“Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës të datës 10.04.2019 për lëshimin e urdhër arrestit, pasi ka gjetur se i dyshuari gjatë fazës së hetimeve i është shmangur ftesave për intervistë. Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 175 i KPPK-së për lëshimin e urdhër arrestit”, thuhet në fund të njoftimit.

Por, ndryshe ka thënë deputeti Molliqaj në një deklarim me video në “Facebook”.

“Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës erdhi dhe më arrestoi në banesën time në Prishtinë në të cilën jetoj me qera. Pa paralajmërim dhe pa ftesë paraprake nga asnjë institucion i shtetit. Aty e kuptova që me 12.05, pra dje ditë e dilë, Gjykata kishte marr një vendim për arrest timin që ka të bëj me një protestë të vitit 2015”, tha Molliqaj.

Ndryshe, sot gjatë ditës PSD njoftoi se deputeti i tyre, Dardan Molliqaj ishte arrestuar, ndërsa ai pas procedurave të rregullta ishte liruar.

https://kallxo.com/lirohet-dardan-molliqaj-2/