Radovan Karaxhiq | Foto: Gjykata e Hagës

Gjykata e OKB-së Jep 508,797 Dollarë për Apelin e Karaxhiqit

Avokati i Radovan Karaxhiqit tha për BIRN-in se Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare Penale ka alokuar 508,797 dollarë për përgatitjen e apelit të Karaxhiqit kundër dënimit të tij më herët këtë vit nga gjykata e krimeve të luftës me bazë në Hagë.

Avokati Peter Robinson tha se shuma ishte më e lartë sesa parashikimi nga rregullorja e gjykatës, por shpjegoi se kjo ishte për shkak të kompleksitetit të çështjes që mbulon përgjegjësinë e supozuar të Karaxhiqit për katër raste të veçanta sipërmarrjesh të përbashkëta kriminale.

“Ka një numër të madh bazash për apel. Njoftimi ynë në apel është i veçantë për faktin që ai përqendrohet në çështje ligjore, më shumë sesa të apelojë mbi një sërë provash faktike,” tha ekipi mbrojtës në kërkesën e tij bërë gjykatës për një sasi më të madhe të mjeteve sesa që përcaktohet zakonisht.

Robinson tha se paratë do t’i jepnin mundësi mbrojtjes të punësonte dy këshilltarë ligjorë, një avokat dhe një ekspert ushtarak që mund të japin një opinion mbi bombardimin e Sarajevës gjatë luftës, që ishte edhe një nga krimet për të cilat Karaxhiqi u gjykua si përgjegjës. Me paratë do të mund të paguhen gjithashtu praktikantët ligjorë të punësuar nga Gjykata e Hagës.

Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare Penale më parë miratoi pagesën e rreth 130,000 dollarëve për të mbuluar shpenzimet e mbrojtjes ndërsa i paraqiti një mocion gjykatësve ku përcaktohen çështjet ligjore dhe faktike që mbrojtja planifikon të theksojë në apel.

Një total prej 33,000 dollarësh duhet paguar gjithashtu për të mbuluar kostot e mbrojtjes gjatë kohës së dëgjimit të apelit në gjykatë.

Karaxhiq u shpall fajtor në mars të këtij viti për gjenocid kundër boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, si edhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u dënua me 40 vjet burg.

Megjithatë, ai u lirua nga akuza për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Mekanizmi për Gjykatat Ndërkombëtare Penale u ngrit për të marrë përsipër të gjithë apelet e mbetura pas mbylljes së Gjykatës së Hagës dhe të menaxhojë arkivin shumë të madh të gjykatës së OKB-së.