Gjykata në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Gjykata e konsideron të tërhequr padinë e motrave kundër vëllait për zgjidhjen e trashëgimisë

Gjykata Themelore e Mitrovicës, Departamenti Civil e konsideron si të tërhequr padinë për vërtetimin e trashëgimisë, në rastin e kontestit ku F. Deva, N. Deva, B. Deva dhe Z. Deva në vitin 2005 e kishin paditur vëllain e tyre K. Deva, për vërtetimin e së drejtës trashëgimore.

Sipas padisë pas vdekjes së babit të tyre në Gjykatën e atëhershme Komunale në Mitrovicë ishte inicuar procedura për shqyrtimin e trashëgimisë, ku me aktvendimin e plotfuqishëm paditëset Deva ishin udhëzuar në kontest civil, për vërtetimin e fakteve nga të cilat varej vendimi mbi të drejtën në trashëgimi.

Në procedurën trashëgimore, paditëset kishin deklaruar se e pranonin të drejtën ligjore në trashëgimi, në pjesën e pasurisë së luajtshme e cila sipas ligjit u takon pas vdekjes së trashëgimlënësit në këtë rast babait të tyre.

Paditëset nuk ia kanë kontestuar të drejtën në trashëgimi njëra tjetrës, e as të paditurit në këtë rast vëllait të tyre.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me vëllain e tyre tani i paditur, por sipas padisë ai nuk ishte pajtuar duke e kontestuar pjesën e pasurisë në të cilën paditëset kishin pasur të drejtë në trashëgimi tani pas vdekjes së babait të tyre të përbashkët.

Kurse në seancën përgatitore të sotme Gjykata ka konstatuar si të tërhequr këtë padi.

Gjykatësi i rastit Naim Meholli ka njoftuar se në seancë nuk ka prezantuar përfaqësuesi i paditëseve edhe pse nga gjykata ishte ftuar me rregull, kurse për të paditurin nga flet-kthesa u konstatua se adresa ishte jo e plotë.

Andaj nën këto kushte gjykatësi Meholli konstatoi se padia e paditëseve Deva kundër vëllait të tyre K. Deva për vërtetimin e së drejtës trashëgimore në bazë të neni 409 paragrafi 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, konsiderohet e tërhequr.

Gjykata do të përpiloj aktvendim të veçantë për tërheqjen e padisë.