Gjendet Shkaktari i Rrëshqitjes së Dheut në “Arbëri”

Shkaktari i rrëshqitjes së dheut në lagjen “Arbëria” në kryeqytet janë ujërat nëntokësore, të cilat kanë shkaktuar lëvizje, bëjnë të ditur ekspertët nga Zagrebi.

Instituti Gjeologjik i Kroacisë në marrëveshje me Komunën e Prishtinës ishte kontraktuar që të hulumtojë rrëshqitjen e dheut në këtë lagje.

Drejtori i Institutit, Josip Halamić si dhe inxhinieri Željko Miklin prezantuan para zyrtarëve të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe atyre të Drejtorisë së Urbanizmit gjetjet dhe rekomandimet e Institutit për sanimin e gjendjes.

“Sipas tyre, shkaktari kryesor i rrëshqitjet së dheut janë ujërat nëntokësore në këtë lagje që shkaktojnë lëvizje. Në planin e sanimit është rekomanduar ndërtimi i tre puseve, të cilët do të shërbenin si pika akumulimi të ujërave nëntokësore dhe të cilët do të zbrazeshin në intervale të rregullta me anë të pompave”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas këtij Instituti, çdo ndërtim në këtë lagje duhet t’i nënshtrohet rregullave të reja për miratimin e lejeve, që nënkupton disa specifika të veçanta teknike të ndërtimit, siç janë themelet dyfish më të thella të godinave.

“Ekspertët nga Zagrebi rekomanduan që tërë hapësira e kodrës së Arbërisë të pyllëzohet, sepse drunjtë janë mënyra natyrore e thithjes së ujit nëntokësor dhe njëherësh ofrojnë gjelbërim”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.