Gazetarja Serbe Ankohet për Ngacmim Pas Komenteve Seksiste të Ministrit

Gazetarja e B92 e cila u gjet në qendër të komenteve seksiste që e përfshijnë Ministrin e drejtësisë tashmë të turpëruar, thotë se ka pranuar një mori abuzime në rrjetet sociale për shkak se foli për këtë rast.

Zlatija Laboviq, gazetarja e B92 ndaj të cilës Ministri i Mbrojtjes Branislav Gasiq bëri komente seksiste, tha për BIRN të enjten se që atëherë ajo ka pranuar “ofendime seksiste të mbushura me gjuhë të urrejtjes dhe sharje vulgare”, nëpër rrjetet sociale.

“Është e rëndësishme që këto procese [për zëvendësimin e Gasiq] të jenë më të shpejta në mënyrë që të parandalojmë shtypjen e vazhdueshme të dinjitetit tim si gazetare, si grua dhe si qenie njerëzore…që ky viktimizim të mos përsëritet në forma të ndryshme çdo ditë”, tha Labovic.

B92 të enjten ka thënë se do të padiste ata që janë përgjegjës për ngacmimin e Laboviq.

Sulmet ishin në vazhdën e komenteve të Gasiq ndaj gazetares të cilat zunë vend kur ajo u përkul që t’i mundësonte kameramanit të saj që të merrte një pamje të ministrit. Atëherë Gasiq tha : “I dua gazetaret femra që ulen në gjunjë lehtë”.

Pasi u këshillua nga Kryeministri Aleksandar Vuçiq, Gasiq kërkoi falje për ofendimin që e kishte bërë.

“Dua të kërkoj falje publikisht nga gazetarja Zlatija Laboviq dhe nga publiku serb për sjelljen time të turpshme dhe skandaloze. Nuk ka arsyetim për veprimet e mija”, tha ai.

Gjithsesi, të hënën Vuçiq tha se Gasiq nuk mund të mbetej në qeveri pas komentit të tij të pakujdesshëm. Duke iu përgjigjur deklaratave se parlamenti kishte dështuar të votonte për largimin e Gasiq nga pozita e tij për shkak të komentit, Vuçiq të mërkurën insistoi se Gasiq do të largohej ose “Unë nuk do të jem më kryeministër”.

Megjithatë, përderisa ende nuk është vendosur nëse Gasiq do të largohet dhe kush do ta zëvendësojë, ai është akoma ministër i mbrojtjes.

Informer, një medium pro-qeveritar të enjten tha se një ditë pas incidentit, Laboviq “festoi largimin e Gasiq duke postuar një foto në Facebook me një koment të papërshtatshëm”.

Komenti është teksti i një kënge serbe.” Unë po e marr rrugën me një mendje të pastër. Jam më e rëndësishme se ministri”.

Informer tha se Laboviq e fshiu komentin disa orë më vonë.

Drejtorët e tre fabrikave nga qytetet e Krushevcit, Lucanit, dhe Trstenikut, në ndërkohë i dërguan një letër Vuçiqit në mbështetje të Gasiq të enjten, duke kërkuar nga ai që të mos e largojë ministrin për shkak se largimi i tij do të ndikonte negativisht në punëtorët e tyre

Partia Progresive e Serbisë në Krushevc, ku Gasiq ka qenë kryetar e ka fajësuar Laboviq për gjithë incidentin. Të mërkurën, anëtarë të partisë në një takim thanë se Laboviq “ishte e instruktuar ta provokojë ministrin” dhe se të gjitha “gënjeshtrat e fabrikuara” për të kishin qëllimin e destabilizimit e vendit. Ata thanë se një grup  kanë paguar disa miliona euro për t’u siguruar se Gasiq do të largohej nga posti i tij.

“Gasiq nuk ka përdorur fjalë ofenduese apo sharje…sikur ajo me pozicionin e saj [të përkulur] nuk e ka poshtëruar profesionin e vet”, tha Ivan Manojlovic, një anëtar i partisë.

Gjithsesi, qendra e partisë udhëheqëse në Beograd të mërkurën tha se nuk e ndajnë të njëjtin qëndrim me degën e tyre në Krushevc. Laboviq tha se nuk befasohet me sulmet ndaj saj.

“Nuk është e çuditshme që edhe pas kërkimfaljes së Gasiq dhe reagimin e fortë të kryeministrit dhe fjalët për largim të Gasiq, ka disa që mendojnë që gjithçka është taktikë e pastër dhe se asgjë nuk duhet të ndryshohet për sa i përket sjelljes ndaj gazetarëve dhe publikut”, tha Laboviq.

Gasiq gjithashtu shkaktoi zemërim në konferencën e tij për shtyp, të martën ky edhe njëherë kërkoi falje ndaj Laboviq sepse gazetarët e kishin të ndaluar të bënin pyetje.

Gasiqit iu kërkua të japë dorëheqje në disa raste këtë vit, në lidhje me gabime të tjera për të cilat dyshohet.

Në shtator, Agjencia Serbe Antikorrupsion e akuzoi atë se kishte një konflikt interesi duke shpërblyer me kontrata kompanitë që lidheshin me familjen e tij, kur ishte kryetar i Krushevcit. Gasiq i mohoi akuzat.

Në shtator, Ombudspersoni Sasha Jankoviq i këshilloi autoritetet ta largojnë atë duke u lidhur me incidentet gjatë paradës së krenarisë të homoseksualëve vitin e kaluar në Beograd.

Partitë Opozitare kërkuan dorëheqjen e Gasiq për shkak të rrëzimit të një helikopteri në mars të këtij viti ku vdiqën 7 vetë duke përfshirë edhe një foshnje pesë ditëshe. Megjithatë ai mohoi përgjegjësinë për aksidentin.