Forcat irakiane - Foto: REL/AFP

Forcat irakiane arrestojnë pesë liderë të ISIS-it

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara thotë se forcat irakiane, në koordinimin me forcat siriane që mbështeten nga SHBA-ja, kanë arrestuar pesë zyrtarë të lartë grupit militant, Shteti Islamik (ISIS).

Në një deklaratë të publikuar sot, zëdhënësi i koalicionit, koloneli Ryan Dillon i ka quajtur këto arrestime si “goditja e madhe ndaj Daesh-it”, duke iu referuar grupit ekstremist me akronimin arab.

Militantët e ISIS-it nuk kanë më nën kontroll pjesë të rëndësishme brenda Irakut, por vazhdojnë të kenë nën kontroll disa territore brenda Sirisë, që gjenden përgjatë kufirit irakian.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja mbështetë forcat irakiane në terren dhe luftëtarët sirianë, të njohur si Forcat Demokratike Siriane, në luftën e tyre kundër ISIS-it.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shkruar në Twitter, ku ka thënë se të arrestuarit janë liderët “më të kërkuar” të ISIS-it.

Në deklaratën e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, nuk janë bërë publik emrat e personave të arrestuar. (REL)