Foto: Ilustrim

FMN: Garancitë qeveritare mund ta rrisin borxhin publik

Kosova ka një perfomancë ekonomike solide, me një rritje ekonomike që pritet të jetë 4 për qind për sivjet, por me rritje të rrezikut fiskal. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) këshilloi mos-procedimin e ligjit për mësimdhënësit dhe programet tjera sociale të pa targetuara që rrezikojnë qëndrueshmërinë e buxhetit. Njëkohësisht FMN thotë të monitorohen dhe të mbahen në kontroll garancitë qeveritare se mund të rrisin borxhin publik.

FMN në përmbyllje të vizitës së tyre në Kosovë kanë thënë se përformanca ekonomike vazhdon të jetë solide, por rreziqet fiskale janë rritur. Sipas FMN-së, politika duhet fokusuar në kufizimin e rrezikut fiskal për  të mbajtur qëndrueshmërinë e buxhetit dhe për të mbrojtur shpenzimet produktive, përfshirë investimet kapitale në sektorët me prioritet. FMN përmend zbatimin vendimtar të reformave si esenciale për të arritur një rritje më të fortë e të qëndrueshme ekonomike.

FMN thotë se rritja ekonomike për sivjet pritet të jetë 4 për qind. Ekzekutimi i buxhetit me mangësi në të hyra dhe shpenzime

“Performanca ekonomike vazhdon të jetë e fortë, ku rritja ekonomike për 2018 pritet të jetë rreth 4 për qind. Inflacioni mbetet i përmbajtur dhe deficiti i llogarisë së jashtme rrjedhëse është ngushtuar, pjesërisht si pasojë e rishikimeve statistikore. Sektori bankar vazhdon të jetë i kapitalizuar mirë, likuid dhe fitimprurës. Ekzekutimi i buxhetit të vitit 2018 është përgjithësisht në binarë: disa mangësi në pjesen e të hyrave dhe tejkalime të shpenzimeve sociale si pasojë e moszbatimit të reformave të skemës së benefiteve priten të balancohen me kursime në fusha të tjera”. Thuhet në komunikatën e FMN-së

FMN këshillon të mos procedohet ligji për mësimdhënësit dhe programet tjera të përfitimeve sociale të patargetuara në anën tjetër të avancohet reformat për veteranët e luftës dhe ristrukturimi i ndërmarrjeve publike

“Përderisa perspektiva afatshkurtre është pozitive, rreziqet fiskale janë rritur. Në këtë drejtim, misioni këshilloi që të mos vazhdohet tutje me projektligjin aktual për kompensimin e mësimdhënësve për shkak të kostove të larta fiskale direkte dhe indirekte që do të ngarkojnë buxhetin për shumë vite dhe tkurrin shpenzimet prioritare; të avancohet me reformat e vonuara të veteranëve të luftës; të mos futen programe të reja të patargetuara të përfitimeve sociale; të përshpejtohet ristrukturimi i sektorit të ndërmarrjeve publike për t’ia rikthyer qëndrueshmërinë financiare dhe zvogëluar mosefikasitetet; të hartohet reforma e administratës publike brenda kufijve të rregullës për faturën e pagave; si dhe të monitorohet me kujdes dhe të mbahet nën kontroll lëshimi i garancive qeveritare që do të mund të rrisnin ndjeshëm borxhin publik”, këshillon FMN

Tutje në komunikatën e FMN-së thotë se duhet të bëhet reformë edhe në sektorin privat për të ulur papunësinë

“Në të njëjtën kohë, reformat strukturore për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat duhet të përshpejtohen në mënyrë që të arrihet rritja më e fortë dhe e qëndrueshme, për të cilën ka nevojë që ta ulë hendekun e madh të të ardhurave me pjesën tjetër të Evropës dhe për ta adresuar nivelin e lartë të papunësisë. Në këtë drejtim, misioni përsëriti nevojën për të avancuar tutje me zbatimin e reformave në arsim, qeverisje, infrastrukturë, tregun e punës, shëndetësi dhe administratën tatimore” thuhen ë komunikatë.