Muri në veri

Fjalët për Murin

Në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës të premten u fol për kahun që mund të marrë dialogu pas ndërtimit të murit në Mitrovicë.

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu tha se muri në afërsi të urës së Ibrit ka krijuar situatë të paqartë në mes etnive.

“Muri në këtë kohë është një lloj ndarje.  Në asnjë shtet demokratik, në asnjë shoqëri demokratike muret nuk janë ato që integrojnë dy shoqëri të vendit, për më keq në këtë fazë të ndjeshme të dialogut mendoj që ndërtimi i murit ka krijuar një situatë shumë të paqartë ndërmjet dy shoqërive,” tha Deliu.

Në tryezë deputeti i LDK-së Sadri Ferati tha se muri na ka dalë përpara si një monstrum.

“Nëse e shikojmë nga jugu nuk ka qka thuhet tjetër pos që është një monstrum që na ka dalë menjëherë në mes të rrugës. Ndërsa po të shikohet nga veriu ajo nuk është një befasi. Unë së paku ka dy vite që kam dëgju që ajo pjesë do të ndërpritet për automjete,” tha Ferati.

Ministrja Edita Tahiri gjatë diskutimeve në tryezë mohoi se muri është pjesë e dialogut të Brukselit.

“A është e mundur që derisa po shkojmë në dialog për të krijuar lëvizjen e lirë për të hequr barrikada, struktura paralele a është e mundur që të bisedojmë për murin?… Po ju them asnjëherë as nuk ka pasur biseda as marrëveshje për krijesa siç e quajti zoti Ferati me të vërtetë monstruoze,” tha Tahiri.

Ajo tha se duhet të veprohet me kujdes për heqje të murit.

“Fakti që i hoqëm të gjitha barrikadat në veri, edhe këtë mur e heqim, por me kujdesin më të madh. Ne si qeveri jemi të vetëdijshëm për pakënaqësitë legjitime të qytetarëve edhe po manifestohen dhe do të manifestohen deri në ditën që do të hiqet ky mur. Por do të jemi së bashku, do të punojmë së bashku dhe do të heqim këtë mur,” tha Tahiri.

Deputeti Sadri Ferati propozoi formimin e një grupi për analizim të situatës së krijuar pas ndërtimit të murit.

“Ta formojnë një grup nëse ka nevojë që dikujt nuk i duken boll institucionet  e vendit që të bëjë një analizë dhe dhe pastaj me ato analiza ne t’i kthehemi parlamentit, qeverisë dhe debateve dhe të kemi detyra konkrete që brenda një afati minimal, qytetarët ta kuptojnë pse ata duhet të durojnë ende sepse ne jemi këtu,” deklaroi Ferati.

Edhe në Kuvendin e Kosovës dje prej orës 17:00, e drei në orët e para të ditës së sotme u diskutua për murin pa ndonjë konkluzion.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri