FIFA hap hetimin për festimet e Xhakës dhe Shaqirit

FIFA ka hapur një hetim ndaj utbollistëve të kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri rreth festimeve të golave të mbrëmshëm në fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë në kuadër të kampionatit botëror në futboll.

Të dy, Xhaka dhe Shaqiri, kanë prejardhje nga Kosova ndërsa golat e tyre i festuan duke bërë simbolin e flamurit shqiptar, shqiponjën me duar

Zvicra e fitoi ndeshjen me rezultat 2:1.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën në mbrëmje, Komiteti Disiplinor i FIFA-s tha se ka hapur procedurë disiplinore ndaj Xhakës dhe Shaqirit.

FIFA tha se ka hapur hetim edhe ndaj federatës serbe të futbollit për shkak të sjelljes së tifozëve dhe paraqitjes së mesazheve politike dhe ofenduese nga tifozët serbë

“Për më tepër, një hetim preliminar është hapur edhe ndaj trajnerit serb, Mladen Krstajiq, pas deklaratave të bëra pas ndeshjes.

BBC raporton se është e paqartë se cilës deklaratë të Krstajiq i referohet FIFA, por në komentet pas ndeshjes për mediat serbe, ai iu kishte drejtuar gjyqtarit të ndeshjes Felix Brych: “Nuk do t’i jepja atij as karton të verdhë as të kuq, por do ta dërgoja në Hagë. Pastaj ata le ta gjykojnë, siç na kanë gjykuar neve”.