Ferizaj, kërkohet vërtetimi i pronësisë për pronën e blerë në vitin 1981

Në Gjykaten e Ferizajt, ka vazhduar seanca në kontestin ku Rukije Thaçi, si paditëse po kërkon vërtetimin e pronësisë ndaj të paditurit-kundërpaditësit Arbër Pogragja.

Në seancen e sotme, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua paditësja Rukije Thaçi.

Ajo tha se bashkëshorti i sajë e ka blerë pronën e cila tani është kontestuese. Tutje tha se nuk e di saktë se nga kush e ka blerë atë pronë pasi siç tha “ktynehere burrat nuk na kanë treguar bash gjithçka neve grave”.

“Nuk e di saktë vitin se kur është blerë prona, edi se parat i ka dhënë pasi ato i kam pasur duke i ruajtur unë në shtëpi sepse burri im ka qenë në Gjermani. Pronën e di se e kemi blerë diku para 40 viteve. Bashkëshorti nuk më ka treguar se kush ka qenë prezent me rastin blerjes se asaj prone, gjithashtu nuk edi nëse është bërë marrëveshje me gojë ose me shkrim. E di vetëm se prona është paguar me marka Gjermane”, tha paditësja Rukije Thaçi.

Tutje tha se nuk e din se me qka është matur ajo pronë. Gjithashtu tha se Pronen e cila tani është kontestuese gjithmonë e kanë punuar ata aq sa kanë mundur pasi bashkëshorti i saj ka qenë në Gjermani.

Në të kaluarën tha se askush nuk u ka bërë pengesa në shfrytëzimin e kësaj prone, kurse tani janë duke pasur probleme me Arbër Pogragjën.

Tutje u dëgjua edhe dëshmitari Avdullah Luzha, i cili tha se tokën kontestuese paditësja e ka në posedim afërsisht qe 40 vite. Ai tha se burri i paditëses pronën kontestuese e ka blerë para afërsisht 40 viteve, por nuk e dinte se nga kush e ka blerë dhe as në cilin vit kishte ndodhur shitëblerja.

Në seancë u dëgjuan edhe katër dëshmitarë të tjerë, Ismet Luzha, Veli Spahiu, Esmet Sopa dhe Afrim Tasholli, të cilët thanë se pronën kontestuese e ka blerë burri i paditëses Rukije Thaçi, Tahiri dhe se e dinë se gjithmonë atë pronë e ka pasur në posedim burri i paditëses dhe se nuk kanë pasur probleme lidhur me përdorimin e saj.

Kurse Arbër Pogragja, i cili në këtë procedurë është i paditur-kundërpaditës, tha se ajo pronë e cila është kontestuese është e tij, pasi ai është trashëgimtar i saj dhe se nuk ka asnjë arsye për të gënjyer. Tha se lidhur me atë pronë babai dhe gjyshi i tij i kanë treguar se në Ferizaj i kanë afërsisht 1 hektar tokë.

“Nuk më kujtohet se e kam vizituar këtë pronë para luftës, pasi e kam pasur babanë gjallë dhe ai është marrur me të. Garantoj me jetë se atë tokë e kemi punuar, konkretisht atë e kanë punuar halla ime, migjallarët dhe babai im. Familja jonë vetëm e ka vizituar atë pronë kohë pas kohe, pasi ajo ka qenë livadh dhe të njëjtën nuk e kanë punuar. Asnjhëherë nuk na ka penguar askush për ta shfrytëzuar atë tokë”, tha i padituri-kundërpaditësi Pogragja.

Tutje tha se nuk e di nëse dikush e ka shfrytëzuar atë pronë pasi nuk kanë jetuar këtu dhe se asnjëhere nuk kanë bërë ndonjë padi për atë pronë, pasi e kanë pasur kontratën e shitblerjes me të cilën e kanë blerë nga serbët, ku si pronare ka rezultusr Rifadije Pogragja, e cila është gjyshja e tij. Gjithashtu tha se në një moment kur kishte kaluar afër pronës kontestuese e ka parë një tabelë ku ka shkruar “Toka Shitet”.

Seanca e sotme do të vazhdohet më 09 dhjetor 2021.

Paditësja Rukije Thaçi, me padi ka deklaruar që pronën kontestuese e ka blerë në vitin 1981 nga gjyshja e tani të paditurit kundër-paditësit Arbër Pogragja.

Tutje sipas padisë bashkëshorti i paditëses, tani i ndjeri Tahir Thaçi gjatë vitit 1981 sipas marrëveshjes gojore ka blerë nga e paditura sipërfaqen prej 1700 m2 apo 17 ari në Ferizaj për qmimin prej 1,700,000,00 dinarë të atëhershëm të cilin e ka paguar në tërësi dhe që nga atëherë paditësja me familjen e saj është në posedim të qetë e të papenguar nga askush.

Sipas padisë, paditësja në palujtshmërinë kontestuese, ka të ndërtuar shtëpinë e banimit dhe objektet tjera përcjellëse.

Kurse, në shkresat e lëndës të cilat i ka siguruar Kallxo.com shihet se në kërkesen e paditëses thuhet se burri i saj, tashmë i ndjerë e kishte blerë pronën kontestuese nga Rufadije Pogragja në vitin 1981.

Kurse në certifikatën e vdekjes të lëshuar në Shkup, shihet se Rufadije Pogragja ka vdekur më 09 shkurt 1973.

Andaj duke pasur parasysh këto Arbër Pogragja, si tradhëgimtar i të ndjerës Rufadije Pogragja, tani ka ndërhyrë me kundërpadi duke kërkuar që padia e paditëses Rukije Thaçi të refuzohet dhe prona kontestuese të mbetet në emër të kundërpaditësit Arbër Pogragja.