Foto-ilustrim

Mbahet seanca për vërtetim pronësie

Në seancën e sotme lidhur me çështjen që ka të bëjë me padinë e paditëses D.M. nga Prishtina ndaj të paditurit – Komisioni i kërkesave pronësore të Kosovës është lejuar precizimi i kërkesë-padisë dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë nga paditësja.

I autorizuari i paditëses D.M., Florim Shefqeti, deklaroi se qëndrojnë pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë dhe pranë precizimit të kërkesë-padisë të datës 31 mars 2021.

“Qëndrojmë pranë pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë dhe pranë precizimit të kërkesë-padisë të datës 31 mars 2021, duke konsideruar që në tërësi janë përmbushur kërkesat nga LPK, lidhur me caktimin e masës së sigurisë. Këtë e mbështesim me faktin që tani propozuesja është pronare e regjistruar në regjistrat kadastralë në banesën e cila evidentohet në ngastrën kadastrale, të cilën e ka trashëguar nga nëna e saj Xh.M.”, tha avokati Shefqeti.

Sa i përket precizimit të kërkesë-padisë të kërkuar me vendimin e Gjykatës së Apelit, avokati Shefqeti kërkoi që Gjykata të vërtetojë se paditësja është pronare e vetme legjitime e kësaj banese.

Ndërsa për propozimin për caktimin e masës së sigurisë, ai tha se do të paraqitej rrezik nëse kjo masë nuk caktohet pasi që mund të vijë deri te tjetërsimi, shitja, ngarkimi apo çfarëdo forme tjetër, që do ia pamundësonte paditëses realizimin e të drejtës subjektive të saj.

“Sa i përket propozimit për caktimin e masës së sigurisë konsiderojmë se kemi dhënë prova dhe deklarime lidhur me bazueshmërinë e kërkesë-padisë, e cila jep shkas dhe e bën të besueshme caktimin e masës së sigurisë, sepse përveç se kundërpropozuesi ka bërë largimin nga banesa të propozueses e njëjta me vendimin e Drejtorisë së Kadastrit ka kërkuar dhe tjetërsimin e saj, me çka e bën të besueshëm rrezikun që pa caktimin e kësaj mase pashmangshëm do t’i shkaktohej dëm deri te tjetërsimi, shitja, ngarkimi apo çfarëdo forme tjetër që do ia pamundësonte propozueses realizmin e të drejtës së saj subjektive”, deklaroi ai.

“Pra kërkojmë nga Gjykata që t’i ndalohet të paditurës shitja, tjetërsimi, ngarkimi, shfrytëzimi apo ndërmarrja e çfarëdo veprimi tjetër juridik apo faktik në ndryshimin e gjendjes ekzistuese në banesën e lartëcekur. Po ashtu kërkojmë që kundërpropozuesi të bëjë kthimin e çelësave, në mënyrë që propozuesja të shfrytëzojë banesën legjitime të saj, ashtu që propozuesja të mos paguajë banesë tjetër me qira, pasi ka gjithë të drejtat në këtë banesë”, shtoi avokati Shefqeti.

Kurse i autorizuari i palës së paditur, Ali Dragusha, tha se vazhdojnë ta kontestojnë kompetencën e kësaj Gjykate lidhur me këtë çështje kontestuese.

“Për agjensionin kjo është çështje e gjykuar, për faktin se kemi të bëjmë me vendime të plotfuqishme dhe të paapelueshme nga ana e komisionit të agjencisë, si vendimi grupor i datës 22 tetor 2005 dhe vendimi i datës 19 qershor 2008. Këto dy vendime janë në fuqi dhe të apelushme dhe në bazë të rregulloreve të UNMIK dhe ligjit nr 03/L-079 dhe ligjit në fuqi të AKKVP”, tha Dragusha.

“Më 3 mars 2021, njësia e dëbimeve pranë AKKVP duke vepruar sipas urdhërit për dëbim të datës 12 prill 2020, ka bërë lirimin e pronës nga personat dhe sendet dhe i kanë dhënë mundësinë e realizimit të së drejtës pronësore H.S. Paditësja ka qenë e informuar për datën dhe ditën e lirimit të pronës, por që e njëjta nuk është përgjigjur”, shtoi ai.

Ai po ashtu tha se me vendimin e datës 13 dhjetor 2019, H.S. i është njohur e drejta në posedim të kësaj banese dhe i është aprovuar kërkesa mbi pronën e kërkuar dhe është kërkuar që kjo pronë të regjistrohet në librat e kadastrit. Sipas tij, është marrë një vendim për kompensim monetar për të paditurën dhe arsyeja e kësaj është se H.S. ka poseduar me të drejtën pronësore që nga viti 1988 deri vitin 1992, ku në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese i është marrë prona dhe i është dhënë një pensionisteje të nacionaliteti serb.

Gjykata vendosi që paditëses t’i lejohet precizimi i kërkesë-padisë dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë, i precizuar drejtëpërdrejtë nga i autorizuari i paditëses.

Ndërsa është detyruar e paditura që në afat prej 3 ditësh t’i dorëzojë Gjykatës vendimin e datës 22 tetor 2005, vendimin e 13 dhjetor 2019 si dhe veprime tjera të ndërmarra nga e paditura, pasi që paditësja i kërkoi këto vendime paraprakisht.

Seanca e radhës u caktua për datën 20 prill.

Fillimisht Gjykata e Prishtinës përmes vendimit të datës 18 nëntor 2020 kishte bërë refuzimin e propozimit për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Gjykata e Apelit përmes vendimit të datës 15 mars 2021 ka bërë aprovimin e ankesës ashtu që ka kthyer çështjen në rivendosje.

Ndërsa më 31 mars 2021, paditësja ka paraqitur parashtresë në Gjykatë për të bërë precizimin e kërkesë-padisë, ka kërkuar nga Gjykata që të caktohet masa e sigurisë dhe ka kërkuar që në vendosjen meritore të aprovohet në tërësi kjo kërkesë-padi.

Sipas padisë, paditësja D.M. nga Prishtina kishte paraqitur padi ndaj Komisionit të kërkesave pronësore të Kosovës.

Më tej thuhet se pala e paditur – Komisioni i kërkesave pronësore të Kosovës përmes vendimit të vërtetuar të datës 8 janar 2020 të Komisionit të kërkesave pronësore të Kosovës ka bërë aprovimin e pronësisë mbi pronën e kërkuar duke iu referuar vendimit grupor të datës 22 tetor 2005, ky komision me vendimin e vet të datës 13 dhjetor 2019.

“Vendimi i datës 22 tetor 2005, sipas kalendarit kjo ditë ka qenë e shtunë, me çka në këtë vendim ka dyshime që i njëjti të jetë falsifikuar dhe për të njëjtin do të inicohet procedurë penale sipas nevojës, pasi që dita e shtunë nuk është ditë pune”, thuhet në padi.

Sipas padisë, baza e cila iu ka paraprirë vendimeve tjera dhe veprimeve është dyshuar si dokument i falsifikuar dhe s’është ditur se nga kush është nënshkruar.

Tutje thuhet se në bazë të këtij vendimi, është nxjerrë aktvendimi për caktimin e vërejtjes nr. 011-463-2/425/20 i Agjencisë Kadastrale dhe se vërejtja është caktuar në bazë të vendimit të vërtetuar të datës 8 janar 2020.

Pastaj thuhet se Komuna e Prishtinës ka bërë lëshimin e njoftimit lidhur me lëndën 011-463-2/425/20 të kësaj komune dhe se në procedurën administrative ka paraqitur kërkesë H.S., i cili ka pretenduar se i takon e drejta në banesën që është objekt i kësaj procedure.

Ndërsa thuhet se H.S. sipas vendimit të datës 31 tetor 1988, këtë banesë e kishte vetëm në posedim dhe atë për nevoja zyrtare, ky vendim potencon se “e drejta në shfrytëzimin e kësaj banese, pushon në momentin kur pushon kushti i pushimit të funksionit/detyrës zyrtare pushon, pushon dhe e drejta e shfrytëzimit të kësaj banese”.

Tutje ceket se sipas Ligjit mbi marrëdhëniet banesore nr. 11/83 në nenin 7 par. 3 përcaktohet se “shfrytëzuesit në banesa për nevoja zyrtare nuk e fitojnë të drejtën e pronësisë”.

Sipas padisë, banesën që është objekt i kësaj procedure, paditësja D.M. të drejtën e pronësisë në të e ka fituar nga e ëma e saj Xh.M., ndërsa Xh.M. të drejtën e pronësisë e kishte fituar nga R.D., i cili në mënyrë origjinere ishte shpallur trashëgimtar më 1994 përmes trashëgimisë nga nëna e tij L.D. e cila e kishte blerë këtë banesë, kurse H.S. kishte vetëm të drejtën e shfrytëzimit të kësaj banese përkohësisht.

Po ashtu thuhet se D.M. me të ëmën Xh.M. të drejtën në banesën lëndore e kanë mbi bazën e kontratave të vërtetuara në Gjykatë.