Si ndodhi që Policia hodhi sprej në një restorant në komunën e Ferizajt, flasin dëshmitarët

Hetem Sopa dhe Qerim Idrizi, kanë dalë para Gjykatës së Ferizajt për t’u përgjigjur në akuzën e Prokurorisë e cila ata i ngarkon me veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.

Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarë, të cilët, sipas Prokurorisë, në kohën kur ka ndodhur rasti kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Dëshmitari Fitim Abdyli tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

“Kur kanë dalë mysafirët nga restoranti, Policia janë përleshur me Hetem Sopën. Unë diçka tjetër nuk kam parë. Gjërat e tjera se çfarë ka ndodhur aty, i kam dëgjuar nga njerëzit e tjerë. Unë aty kam parë se policia, pastaj, kanë përdorur sprej dhe stafin e restorantit i kam parë duke i pastruar sytë. Unë nuk kam qenë në restorant kur ka ndodhur rasti pasi kam qenë një kat më lart duke kryer punë të tjera”, tha dëshmitari Abdyli.

Ai tha se prezencën e zyrtarëve policor e kanë kuptuar kur policët përmes altoparlantit kanë kërkuar që të ndalet muzika dhe pastaj kanë shkuar e kanë ndalur muzikën dhe kanë njoftuar të gjithë se policia gjinden në oborrin e restorantit.

Abdyli në vazhdim tha se e ka parë edhe Qerim Idrizin në restorant gjatë gjithë kohës.

Dëshmitari tjetër Xhemajl Hasani tha se ka qenë në restorant dhe se kur kanë ardhur policia lokali ka qenë në mbyllje e sipër. Pasi ju ofrua në shikim një deklaratë e tij e dhënë në polici, ai tha se nuk i kujtohet se ç’ka thënë, pasi sipas tij, polici ka shkruar pa e pyetur fare atë, meqë ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe se deklarata ju ka ofruar vetëm për nënshkrim.

Gjithashtu dëshmitari, të dëmtuarit i cili është zyrtarë policor i tha se me mysafirët kanë reaguar shumë keq pasi me të ardhur në vend të ngjarjes, u kanë hedhur sprej dhe se në asnjë rast nuk e ka parë Hetem Sopën duke përdorur forcë ndaj zyrtarëve policor.

Në vazhdim avokati Burhan Qosa, kërkoi nga Gjykata që dëshmitarit mos t’i lexohet deklarata të cilën tha se as ai nuk e pranon që e ka dhënë, por vetëm e ka nënshkruar në gjendje të dehur.

Në seancë pati edhe tensione në mes avokates Labinota Qosa-Ilazi dhe prokurores Mimoza Hyseni, lidhur me mënyrën e pyetjeve dhe përgjigjeve të dëshmitarit Xhemajl Hasani.

Seanca e sotme do të vazhdohet më 2 shtator me dhënien e mbrojtës së të akuzuarve.

Sipas Prokurorisë së Ferizajt, të akuzuarit Hetem Sopa dhe Qerim Idrizi, në muajin prill 2018, në fshatin Lloshkobare të Ferizajt, me përdorimin e forcës kanë penguar zyrtarët policorë Blerim Neziri, Arjan Obrazhda dhe Ardit Qorolli në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktit akuzues, të akuzuarit në një restorant në Komunën e Ferizajt, kanë lëshuar muzikë me tone të larta dhe pasi janë lajmëruar nga banorët, zyrtarë policorë kanë shkuar në vend të ngjarjes dhe aty të akuzuarit nuk kanë pranuar ta ndalin muzikën dhe kështu kanë rezistuar dhe i kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të tyre.