
Mbahet seanca për vërtetim pronësie
Është mbajtur seanca për vërtetim pronësie, ku të paditur janë Xh. M. dhe S. S., ndaj të cilëve paditësit V. P., B. S., dhe B. K. kishin ngritur padi për prishje të kontratës së shitblerjes.
Në seancën e sotme mbrojtja e të paditurës S. S., avokati Ahmet Gjinovci tha se e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë e bërë nga paditësja.
“Në tërësi e kundërshtojmë padinë dhe kërkesëpadinë e paditësve, mbetem në tërësi pranë kundërshtimeve në seancat e kaluara. Konsideroj se kontrata mbi shitblerjen, është lidhur përmes dispozitave ligjore dhe kërkoj që të bëhet administrimi i provave”, tha avokati Gjinovci.
Kurse mbrojtja e të paditurit Xh. M, avokati Ali Latifi deklaroi se ka ofruar dëshmitë për kundërshtimin e padisë dhe kërkesëpadisë.
“Kemi ofruar dëshmitë për kundërshtimin e kësaj çështje, të merren parasysh me rastin e vendosjes. Mbetem në tërësi pranë deklarimeve të paraqitura në këtë procedurë, nuk kam ndonjë propozim të ri andaj dhe unë i propozoj Gjykatës administrimin e provave”, deklaroi avokati Latifi.
Mbrojtja e paditëses V. P., avokati Ekrem Agushi poashtu propozoi që Gjykata të bëjë administrimin e provave.
Pasi që të tre avokatët i propozuan, Gjykata mori vendim për administrimin e provave.
Sipas pretendimeve të palës paditëse, M.Xh. në vitin 2007 kishte blerë, shtëpinë në lagjen Pejton në Prishtinë nga S.S. Më pas shtëpinë e tij e kishin uzurpuar N.K. dhe D.S. Pas kësaj M.Xh. kishte paditur në vitin 2008, të paditurin N.K. dhe të paditurën D.S. Por paditësja V.P., dhe të bijtë e D.S., K.S. dhe B.S.. kanë ngritur padi për anulimin e kontratës së shitblerjes së shtëpisë nga M.Xh..dhe S.S..