Gjakovë - afër fundit gjykimi për vërtetim të pronësisë

F.F. e cila ka paditur ish-burrin e saj R.F. për vërtetim të së drejtës në pronësi, pret nga Gjykata e Gjakovës të merr një vendim.

Sipas padisë, çifti kishin jetuar në bashkësi martesore nga muaji maj 2009 e deri në mars të vitit 2016, në Austri. Por, që nga ky vit, ata ishin shkurorëzuar me aktvendim të Gjykatës së Qarkut në Melek të Republikës së Austrisë.

Në padi thuhet se gjatë kësaj bashkëjetese, të dy kishin jetuar nga të ardhurat personale dhe me mjete të përbashkëta.

Padia thotë se paditësja F.F. paguante të gjitha shpenzimet e shërbimeve komunale bashkë me qiranë e banesës në Austri dhe me mjetet financiare të përbashkëta e të kursyera, kishin blerë një tokë me sipërfaqe prej 633 metra katror, në fshatin Moglicë të komunës së Gjakovës.

Sipas padisë, i padituri R.F. pa dijeninë e tashmë ish-gruas së tij, pronësinë e kësaj parcele në fshatin Moglicë, e kishte bartur në emër të tijin, edhe pse atëherë ata kishin qenë akoma duke jetuar në bashkësi martesore.

Përmes kësaj padie, paditësja F.F. kishte kërkuar mbrojtje gjyqësore dhe kishte kërkuar nga Gjykata e Gjakovës që e njëjta në bazë të kontributit të përbashkët martesor, të vërtetohet që është bashkëpronare me gjysmës së pjesës së tokës.

Po ashtu, paditësja kishte kërkuar nga gjykata që ish-burri i saj të detyrohet t’ia pranojë këtë të drejtë dhe se kjo pronësi të regjistrohet në Drejtorinë për Kadastër dhe Pronë në Gjakovë si dhe të njëjtës t’ia kompensoj shpenzimet procedurale.

Në fjalën përfundimtare, i autorizuari i paditëses F.F. avokati Prek Kola ka thënë që qëndron pranë pretendimeve të padisë, duke kërkuar nga gjykata që të aprovojë kërkesë padinë.

Ndërsa i autorizuari i të paditurit R.F. avokati Prenk Pepaj ka thënë që çifti me rastin e shkurorëzimit kishin lidhur edhe marrëveshje lidhur me ndarjen e paluajtshmërive dhe kursimeve, ku secila palë e mbanë atë që e posedon sot në emër të vetin, duke kërkuar nga gjykata që t’ia refuzojë kërkesë padinë e paditëses.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.