Kushërinjtë s`e duan njëri tjetrin afër mezhdës

 

Në Gjykatën e Gjilanit është mbajtur seanca për vërtetim pronësie në çështjen e paditësve- kundër të paditurve Fatmir, Sabit dhe Xhemajl Shabani, në njërën anë dhe të paditurve Haqif, Emine, Ali, Arben, Ilir, Sadbere, Feime, Naime, Makfire, Minivere dhe Shqipe Shabani.

Të dy palët në procedurë janë familjarë të afërm mes vete.

Ky kontest gjyqësor sipas palëve në procedurë (Ali Shabani), është i ndikuar dhe kundër paditësja Emine Shabani ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Venhar Salihu nga ky rast 5 herë me radhë por nuk ka arritur t’i bindë organet kompetente për këtë pretendim.

Andaj Emine Shabani kishte shkuar edhe më larg me kërkesat e saj. Ajo më 17 tetor 2019 kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që Kryetari i Gjykatës së Gjilanit të mos vendosë për kërkesën e saj.

Megjithatë, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Apeli.

Përfundimisht, kryetari i Gjykatës së Gjilanit më 1 dhjetor 2019, e kishte refuzuar kërkesën e Emine Shabanit.

Në maj të vitit 2015, Sabit dhe Fatmir Shabani nga Gjilani i kanë paditur Haqif Shabanin, Xhemajl Shabanin dhe Emine Shabanin në bazë të ndarjes së bashkëpronësisë.

Sipas aktpadisë, palët ndërgjyqësore e kanë ndarë pasurinë e tyre në terren por bashkëpronësia ka qenë e pashkëputur. Tutje sipas padisë, propozuesi në procedurë jokontestimore ka kërkuar nga të paditurit që ta bëjnë ndarjen e bashkëpronësisë.

Padia në vazhdim sqaron se duke pasur parasysh se paditësit dhe të paditurit janë të regjistruar si bashkëpronarë të ngastrave kontestuese e të cilat i kanë trashëguar më herët, ata i kishin të ndara këto ngastra në terren nga koha e hyrjes në posedim të njëjtave.

Tutje, sipas shkresave të lëndës të cilat i ka siguruar KALLXO.com, të paditurit në këtë rast më 9 janar 2018, kanë ushtruar kundër padi ndaj paditësve Sabit Shabani, Fatmir Shabani dhe Xhemajl Shabani, duke kërkuar anulimin e padisë dhe vërtetimin e kundërpadisë.

Tutje në seancën e sotme, dëshmitari Sabit Shabani ka deklaruar para gjyqtarit se prindi i tij para 40 viteve është ndarë me vëllezërit e tij Haqif Shabani, Xhemajl Shabani si dhe me të ndjerin Shaip Shabani (babai i të paditurve).

“Babit tim i ka takuar pjesa e fundit e ngastrës 71/2, parcelë kjo në të cilën në kufi kam pasur Xhemajl Shabanin si dhe të paditurit, fëmijët e Shaip Shabanit bashkë me Haqif Shabanin”, tha dëshmitari Sabit Shabani

Tutje aj tha se që nga koha kur është ndarë parcela tokësore në atë mënyrë, e kanë punuar secili pjesët e veta dhe asnjëherë nuk ka pasur gjë kontestuese lidhur me këtë pronë.

“Problemi nis nga ajo që kjo lloj ndarjeje nuk pranohet nga ana e fëmijës së tani të ndjerit Shaip Shabani si dhe me këtë ndarje nuk dakordohen edhe të paditurit, sepse të njëjtit nuk dëshirojnë të jenë në një kufi me xhaxhain e tyre Haqif Shabani pasi që me të njëjtin kanë edhe disa probleme të tjera pronësore”, përfundoi Shabani.

Tutje në seancë u dëgjuan edhe dy dëshmitarë të cilët i treguan versionet e tyre lidhur me kontestin pronësor në mes familjes Shabani duke mos u dakorduar pothuajse në asnjë propozim.

Seanca e sotme u ndërpre pasi u kërkua plotësimi i ekspertizës gjeodezike nga ana e ekspertit gjeodet.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje – LINK