Foto: Kallxo.com

Federata e Shëndetësisë: Ka arritur kulmi i pakënaqësisë së mjekëve

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar duke thënë se kohëve të fundit vendit po i ikin njerëzit e kualifikuar dhe të dëshmuar në punët e përditshme.

Sipas Federatës, kur i shtohet kësaj edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkaqe të keq menaxhimit, risistemimit sipas kritereve të përshtatshmërisë politike, inateve, smirës dhe plotësimit të tekave të disa menaxherëve të padijshëm dhe të papërgjegjshëm atëherë arrihet kulmi i pakënaqësisë dhe i dezorganizimit të sistemit shëndetësor.

“Ftojmë Ministrin e Shëndetësisë për ndërhyrje urgjente në këtë rast siç është rasti i dorëheqjes nga puna në sistemin publik shëndetësor të kirurgut të mirënjohur Dr. Besnik Bicaj i cili këtë veprim e ka ndërmarrë si pasojë e presionit menaxherial”, thuhet në reagimin e tyre.

FSSHK gjithashtu ka informuar se ky nuk është rast i vetëm edhe ekziston rreziku që kjo të kthehet në dukuri. Sipas tyre, për këtë rast lind “pyetja është se kush humb dhe kush fiton?”.

KALLXO.com ka raportuar për dorëheqjen e kirurgut Besnik Bicaj.

Kirurgu abdominal Besnik Bicaj ka dhënë dorëheqje nga puna e tij në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Ju konfirmojmë se dr. Bicaj, ka ofruar dorëheqje tek drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale për arsye personale, e njëjta ende nuk është miratuar nga drejtoria”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të QKUK-së dhënë për KALLXO.com

Sipas QKUK-së drejtori  i Klinikës ka kërkuar që të gjitha ekipet kujdestare  në listën e fundit të ndërrohen pozicionet e kirurgëve të rinj.

Kjo siç merr vesh KALLXO.com ka shkaktuar pakënaqësi te disa prej kirurgëve.

Sipas Qendrës Klinike Universitare largimi i çdo kirurgu nga Klinika nuk është i mirëseardhur.

KALLXO.com mëson se doktor Bicaj është ndër të vetmit kirurg abdominal që e kryen procedurën ERCP te pacientët, procedurë kjo që bëhet për të ekzaminuar pankreasin dhe rrugët biliare.

Edhe QKUK e pranon se me largimin e Bicajt kjo metodë në gjithë Klinikën mund të kryhet vetëm edhe nga doktori Halil Tanaj. Bicaj nuk ka dashur të flasë për arsyet që e quan në ofrimin e dorëheqjes së tij nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.