Familja Bytyqi

Familja Bytyqi apelon të nënshkruhet peticioni për të kundërshtuar lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit

Vlastimir Gjorgjeviq, i dënuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, po kërkon lirim të parakohshëm nga burgu.

Gjorgjeviqit fillimisht Tribunali i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm, më pas dënimi iu zvogëlua në 27 vjet burg, e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Në kundërshtim të kërkesës së tij për lirim të parakohshëm nga burgimi familja Bytyqi para disa ditëve ka filluar një fushatë si thirrje Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë që të refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit.

Në kuadër të kësaj fushate, familja Bytyqi ka nisur dy letra.

Letrën e parë ia kanë drejtuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, nga i cili kanë kërkuar që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Ndërsa letrën e dytë ia kanë nisur presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq nga të cilët po kërkon që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.

Por familja Bytyqi nuk është ndaluar me kaq pasi që përpos këtyre letrave, familja Bytyqi ka filluar edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve si peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

“ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviqin në burg”, quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribunal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticionin mund ta gjeni në këtë link.

“Ne, të nënshkruarit, kemi anëtarë të familjes të cilët kanë qenë të zhdukur për njëzet vitet e fundit. Të tjerë mes nesh kanë anëtarë të familjes që u vranë dhe u hodhën në varre masive të organizuara nga Gjorgjeviq”, thuhet në thirrjen për nënshkrim të këtij peticioni.

Në thirrjen për të iu bashkuar kësaj iniciative thuhet se ka ende edhe 1654 persona të zhdukur nga lufta, prej të cilëve 1092 janë shqiptarë dhe 562 janë serbë dhe romë.

“Ndjenja e zakonshme dikton që ekzistojnë varre masive shtesë. Ne jemi të bindur se Gjorgjeviq e di se ku janë varrosur shumë nga të dashurit tanë. Deri sa ai të zbulojë prova të tilla, atij nuk duhet t’i jepet lirim i parakohshëm”, thuhet tutje në këtë iniciativë.

Ilir Bytyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, përmes letrës thotë se Vlastimir Gjorgjeviq është personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve të tij.

Sipas Ilir Bytyqit ishte po Gjorgjeviqi që kishte urdhëruar rrëmbimin dhe më pas edhe gropimin e tyre në një varrezë masive së bashku me 75 persona të tjerë.

Kjo familje pandeh se  Gjorgjeviq ka dijeni për vendndodhjen e varrezave masive dhe  i njëjti nuk duhet të lirohet deri sa të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

Kjo pasi siç thuhet në letrën drejtuar Tribunalit, familjarët meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës së drejtuar presidenteve të Kosovës dhe Serbisë, i ka informuar presidentet Thaçi dhe Vuçiq lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Për shumë vite, presidenti Vuçiq më ka premtuar mua dhe familjen time se ai do të zgjidhë vrasjet e vëllezërve të mi.  Ai mund të fillojë t’i tregojë botës se është njeri i fjalës duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e Vlastimir Gjorgjeviqit. Historia është duke parë”, është shprehur Fatos Bytyqi.

Ndërsa Ilir Bytyqi ka thënë se kjo është mundësi unike për Kosovën që të ndërmarrë veprime konkrete për t’i përmbushur premtimet për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve.

“Ne kemi qenë të nderuar nga përpjekjet e shumta që Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërmarrë për të nderuar vëllezërit tonë të rënë. Kosova tani e ka mundësinë unike për të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur premtimet e vërteta të paqes dhe drejtësisë për familjen tonë dhe familjet e të zhdukurve. Ne ju nxisim që të veproni me shpejtësi”, thotë Ilir Byqtyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit (tre vëllezërve të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999).

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.