Arsyet përse Vlastimir Gjorgjeviq po kërkon lirim të parakohshëm nga burgimi

Me 19 korrik 2019 është bërë i qasshëm për publikun versioni i kërkesës së Vlastimir Gjorgjeviqit, i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kosovë.

Gjorgjeviq po kërkon lirim të parakohshëm nga burgimi.

Me 23 shkurt 2011, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e kishte dënuar Gjorgjeviqin me 27 vjet burg për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1999.

Ndërsa më pas, më 27 janar 2014, Dhoma e Apelit e ia zbuti dënimin në 18 vjet burgim.

Me 16 tetor 2014, Gjorgjeviq është transferuar në shtetin e Gjermanisë për ta vuajtur dënimin, ndërsa në burgim është duke qëndruar që nga viti 2007.

Kërkesën për lirim të parakohshëm nga vuajtja e dënimit, Gjorgjeviq e ka bërë përmes mbrojtësve të tij me datë 22 janar 2019 ndërsa më 19 korrik 2019 në ueb faqen e Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, është publikuar versioni publik i kërkesës së mbrojtësve të Vlastimir Gjorgjeviq, avokatëve Dragolub Gjorgjeviq dhe Velko Gjurdiq.

Ndërsa një kërkesë e dytë e cila është dorëzuar më 11 qershor 2019 është një plotësim/ndryshim në kërkesën bazë për lirimin e parakohshëm nga burgu, me arsyetimin se që nga parashtrimi i kërkesës së datës 22 janar, Gjorgjeviq ka pësuar një ndryshim në gjendjen shëndetësore me ç ‘rast thuhet se të njëjtit i është keqësuar gjendja shëndetësore, prandaj i është kërkuar presidentit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare që gjatë shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes të merret parasysh edhe ky fakt.

Çfarë përmban kërkesa e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm

Kërkesa parashtron katër baza që sipas mbrojtësve të Gjorgjeviqit, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare duhet të ketë parasysh me rastin e shqyrtimit të kërkesës:

Rëndësinë e krimeve për të cilat është shqiptuar dënimi, trajtimi i rasteve të ngjashme të të burgosurve, demonstrim i rehabilitimit nga ana e të burgosurit si dhe bashkëpunimi i të burgosurit me Prokurorinë.

Ndonëse në kërkesë thuhet se krimet për të cilat është dënuar Gjorgjeviq janë të rënda, sipas mbrojtësve të tij ato duhet të llogariten si faktor neutral, duke pasur parasysh pranimin e fajësisë si dhe shprehjen e keqardhjes nga ana e Gjorgjeviqit.

Ndërsa duke u bazuar në pikën e trajtimit të rasteve të ngjashme të të burgosurve, mbrojtësit e Gjorgjeviqit deklarojnë se praktikat gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë të pasuar edhe nga Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare u kanë mundësuar të dënuarve që të kërkojnë lirim të parakohshëm nga vuajtja e dënimit pas mbajtjes së dy të tretës së dënimit e që sipas mbrojtjes një praktikë e tillë është e zbatueshme në shumë shtete, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. Më tej mbrojtja, Gjykatës i ka përmendur disa raste ku të dënuarve u është aprovuar kërkesa për lirim të parakohshëm nga vuajtja e dënimit pas mbajtjes së dy të tretave të dënimit.

“Më 17 qershor 2019, z. Gjorgjeviq do të ketë shërbyer dy të tretat e dënimit të tij. Duke marrë parasysh trajtimin e rasteve të ngjashme të të burgosurve, sidomos në rastet e atyre personave që është vërtetuar se kanë qenë të përfshirë së bashku me Gjorgjeviqin në kryerjen e krimeve në Kosovë gjatë vitit 1999, të cilët kanë përfituar lirim të parakohshëm pas dy të tretave të dënimeve të tyre si dhe periudha kohore që Gjorgjeviq e ka mbajtur dënimin do të duhej të peshojnë në favor të lirimit të tij të parakohshëm”, thuhet në kërkesën e drejtuar Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Sa i përket pikës së demonstrimit të rehabilitimit nga ana e të burgosurit, mbrojtja thekson se që nga fillimi i gjykimit si dhe gjatë gjithë procesit, Gjorgjeviqi ka treguar vetëdijen e tij për seriozitetin dhe peshën e krimeve të kryera duke shprehur në vazhdimësi keqardhje.

Prandaj mbrojtja pretendon se ndonëse Gjorgjeviq në vazhdimësi ka treguar pendim dhe ndonëse ka shprehur keqardhje për krimet e kryera deri më tani, Gjykata nuk e ka marrë për bazë këtë fakt e cila do të mund të konsiderohej si rrethanë lehtësuese.

Gjatë dhënies së mbrojtjes Gjorgjeviq ishte deklaruar kështu:

“Krimet në Kosovë ndodhën në vitin 1999. Kurrë nuk kam dashur që të ndodhin dhe nëse do të kisha mundësi ta ktheja kohën do të veproja shumë më ndryshe. Më vjen keq për të gjitha viktimat në Kosovë dhe për vuajtjet e familjareve të tyre. Pa rezerva i kërkoj falje të gjitha familjeve të të gjithë shqiptarëve të Kosovës që humbën jetën dhe atyre të cilët u zhvendosen. Bashkëndjej me dhimbjen e tyre. Shpresoj se e ardhmja e rajonit do të jetë paqja. Ju kërkoj përsëri ndjesë ashtu siç u kam kërkuar edhe gjatë gjykimit tim. Shpresoja të kontribuoja në procesin e vërtetësisë dhe pajtimit duke dëshmuar në gjyqin tim për dhjetë ditë me rend. Doja të jepja një llogari të hapur dhe të ndershme për rolin tim dhe për atë që dija”, kishte deklaruar Gjorgjeviq.

Duke marrë për bazë pranimin e fajësisë si dhe sjelljen e mirë gjatë vuajtjes së dënimit përgjatë 12 viteve, mbrojtja i kërkon Gjykatës që këta faktorë të konsiderohen si rrethana lehtësuese që do të ndikonin në aprovimin e kërkesës për lirimin e parakohshëm të Gjorgjeviqit nga burgimi.

Lidhur me pikën e demonstrimit të rehabilitimit nga ana e Gjorgjeviqit si dhe bashkëpunimit të tij me Prokurorinë, mbrojtja i vë në kujtesë Gjykatës që sipas tyre Gjorgjeviq ka treguar bashkëpunim duke dëshmuar para Tribunalit Penal si dhe faktin që Gjorgjeviq i është përgjigjur edhe prokurorit serb për krime lufte duke marrë pjesë në thirrjet e tyre për intervistë, e gjithashtu edhe dhënien e dëshmisë lidhur me një rast tjetër gjyqësor para Dhomës Serbe të Krimeve të Luftës.

Si rrethana të tjera mbrojtja e Gjorgjeviqit në kërkesë i është referuar edhe gjendjes së keqe shëndetësore të disa anëtareve të familjes së Gjorgjeviqit që sipas mbrojtjes e bënë edhe më të rëndë vazhdimin e vuajtjes së dënimit duke konsideruar edhe problemet shëndetësore të vet Gjorgjeviqit të cilat sipas mbrojtjes janë arsye shtesë për aprovimit të kërkesës për lirim të parakohshëm nga burgimi.

Fushata e familjes Bytyqi kundër lirimit të Gjorgjeviqit

Lidhur me kërkesën e Gjorgjeviqit për lirimin e tij të parakohshëm nga vuajtja e dënimit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjes Bytyqi, e cila ka nisur disa letra me të cilat e ka kundërshtuar lirimin e tij.

Letrën e parë ia kanë drejtuar presidentit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, nga i cili kanë kërkuar që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Përmes kësaj letre familja Bytyqi i kanë kërkuar këtij Mekanizmi që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Ne kërkojmë nga ju që të refuzoni kërkesën e tij (Gjorgjeviqit) për lirim të parakohshëm derisa ai të tregoj shenja të rehabilitimit dhe në thelb të bashkëpunoj me Zyrën e Prokurorit. Këtë mund ta bëjë duke asistuar në identifikimin e varrezave masive si dhe dhënien e një deklarate nën betim për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, thuhet në letrën e adresuar Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Përmes letrës familja Bytyqi thotë se Gjorgjeviqi ishte përgjegjësi kryesor për operacionet policore që u kryen në fund të luftës në Kosovë.

“Policia dhe Ushtria Serbe u bashkuan në një operacion të përbashkët kriminal për të fshehur vrasjet masive të mijëra shqiptareve nga Kosova. Në pjesën me të madhe të këtij operacioni, Ideja për fshehjen e këtyre krimeve ishte e Gjorgjeviqit”, shprehet familja Bytyqi.

Sipas familjes Bytyqi,  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviqi ka qenë direkt i involvuar jo vetëm në operacionin e fshehjes së vrasjeve masive por edhe dhënien e urdhrit për gjykimin dhe më pas ekzekutimin e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviq disa javë me herët ka qenë në Petrovo Sello në vendin ku janë gjetur kufomat e 75 personave. Për të dashurit tanë Gjorgjeviq ndezi një fije zjarri dhe e hodhi atë drejt në një fushë me naftë”, thotë familja Bytyqi.

Në fund të kësaj letre familja Bytyqi i kërkon Tribunalit që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviq derisa i njëjti të bashkëpunoj me institucione e drejtësisë dhe të zbuloj vendndodhjen e varrezave të tjera masive pasi që siç thuhet në letër, familjarët e 1092 viktimave të vrara meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Ndërsa letrën e dytë familja Bytyqi ia kanë dërguar presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq nga të cilët kanë kërkuar që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.

Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës së drejtuar presidenteve të Kosovës dhe Serbisë, i kanë informuar presidentët Thaçi dhe Vuçië lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Por familja Bytyqi nuk është ndaluar me kaq pasi që përpos këtyre letrave, ata kanë filluar edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve si peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit, peticon të cilin më pas e kanë dorëzuar në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare.

Si u vranë Vëllezërit Bytyqi?

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç ‘rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.