Familja Bytyqi nis fushatën për të bllokuar lirimin e parakohshëm të Gjorgjeviqit

Familja Bytyqi sot ka filluar një fushatë si thirrje për kundërshtimin e lirimit të parakohshëm nga burgimi të Vlastimir Gjorgjeviq.

Gjorgjeviq është i dënuar nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë.

Gjorgjeviqit fillimisht Tribunali i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm, më pas dënimi ju zvogëlua në 27 vjet burg, e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Ndërsa tani Vlastimir Gjorgjeviq, i dënuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, po kërkon lirim të parakohshëm nga burgu, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Por lirimin e tij po e kundërshton fuqishëm familja e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit (shqiptarë me shtetësi amerikane), të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999.

“Më 17 qershor, Gjorgjeviq Ish-Ndihmës Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë do të jetë i aftë për lirim të parakohshëm nga dënimi i tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së Kosovës, i dënuar sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY). Në pjesën më të madhe, operacionet e mbulimit, kamionët famëkeq të frigoriferëve dhe varrezat masive ishin veprimi i Gjorgjeviqit. Gjorgjeviq është gjithashtu i dyshuari kryesor në rastin ‘Bytyqi’”, thuhet në letrën e familjes Bytyqi.

Përmes kësaj letre, Ilir Bytyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, thotë se Vlastimir Gjorgjeviq është personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve të tij. Sipas Ilir Bytyqit ishte po Gjorgjeviqi që kishte urdhëruar rrëmbimin dhe më pas edhe gropimin e tyre në një varrezë masive së bashku me 75 persona të tjerë.

“Unë jam i lodhur (sëmurë), nga fakti që kriminelët e luftës po trajtohen si heronj. Gjorgjeviq urdhëroi rrëmbimin dhe më pas dërgimin e tyre në një vend ku u gropuan me 75 persona të tjerë. Ai është përgjegjës për vrasjet e vëllezërve të mi dhe nuk duhet t’i jepet lirim i parakohshëm derisa ai të tregoj shenja të rehabilitimit”, shprehet Ilir Bytyqi.

Ndërsa Praveen Madhiraju, përfaqësuesi i familjes Bytyqi deklaron se Gjorgjeviq nuk duhet të lirohet derisa të zbuloj vendndodhjen e të gjitha varrezave masive. Sipas Praveen Madhiraju ekzistojnë edhe 1654 persona të zhdukur për të cilët Gjorgjeviqi e di se ku ndodhen.

“Janë edhe 1654 persona të zhdukur nga lufta, prej tyre 1092 shqiptarë dhe 562 serbë dhe romë, ekzistojnë edhe shumë varre të tjera masive dhe Gjorgjeviqi di se si t’i gjejë ato. Ai i ka pranuar të gjitha elementet e përgjegjësisë për vrasje e vëllezërve Bytyqi. E deri sa ai t’i zbulojë të gjitha provat, nuk duhet t’i jepet lirim i parakohshëm”, shprehet përfaqësuesi i familjes Bytyqi.

Përfaqësuesi i familjes Bytyqi thotë se në rast se Gjorgjeviqi do të përfitojë nga lirimi i parakohshëm nga burgimi, ai duhet të bashkëpunoj me zyrën e Prokurorit në mënyrë që të tregoj se ku ndodhën edhe varrezat e tjera masive.

“Demonstrimi i rehabilitimit dhe bashkëpunimi me Zyrën e Prokurorit janë çështje të rëndësishme që merren në konsideratë kur bëhet përcaktimi sipas Rregullës 151 të Rregullës së Procedurës dhe Provave të Mekanizmit për Tribunalet Penale Ndërkombëtare (MIKT), mekanizmin përcjellës për ICTY që do të përcaktojë nëse Gjorgjeviqit duhet t’i jepet lirim i parakohshëm. Bashkëpunimi i tij në gjetjen e varreve masive dhe në hetime të tjera është mënyra e vetme që Gjorgjeviqi të mund të fitojë lirimin e parakohshëm”, deklaron Madhiraju.

Sipas informacioneve të cilat i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, Gjorgjeviq kërkesën e tij e ka bazuar në sjelljen e tij të mirë gjatë vuajtjes së dënimit si dhe gjendjen e përkeqësuar shëndetësore.

Lidhur me kërkesën e Gjorgjeviqit për lirimin e tij të parakohshëm nga vuajtja e dënimit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjes Bytyqi.

Përmes një letre adresuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, familja Bytyqi i kanë kërkuar këtij Tribunali që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Ne kërkojmë nga ju që të refuzoni kërkesën e tij (Gjorgjeviqit) për lirim të parakohshëm derisa ai të tregoj shenja të rehabilitimit dhe në thelb të bashkëpunoj me Zyrën e Prokurorit. Këtë mund ta bëjë duke asistuar në identifikimin e varrezave masive si dhe dhënien e një deklarate nën betim për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, thuhet në letrën e adresuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar.

Përmes kësaj letre familja Bytyqi thotë se Gjorgjeviqi ishte përgjegjësi kryesor për operacionet policore që u kryen në fund të luftës në Kosovë.

“Policia dhe Ushtria Serbe u bashkuan në një operacion të përbashkët kriminal për të fshehur vrasjet masive të mijëra shqiptareve nga Kosova. Në pjesën me të madhe të këtij operacioni, ideja për fshehjen e këtyre krimeve ishte e Gjorgjeviqit”, shprehet familja Bytyqi.

Sipas familjes Bytyqi,  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviqi ka qenë direkt i involvuar jo vetëm në operacionin e fshehjes së vrasjeve masive por edhe dhënien e urdhrit për gjykimin dhe më pas ekzekutimin e Yllit, Agronit dhe Mehmetit.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviq disa javë me herët ka qenë në Petrovo Sello në vendin ku janë gjetur kufomat e 75 personave. Për të dashurit tanë Gjorgjeviq ndezi një fije zjarri dhe e hodhi atë drejt në një fushë me naftë”, thotë familja Bytyqi.

Në fund të kësaj letre familja Bytyqi i kërkon Tribunalit që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviq derisa i njëjti të bashkëpunojë me institucione e drejtësisë dhe të zbuloj vendndodhjen e varrezave të tjera masive pasi që siç thuhet në letër, familjarët e 1092 viktimave të vrara meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Përpos kësaj letre, familja Bytyqi ka filluar edhe iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviq në Burg, quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribunal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticionin mund ta gjeni në këtë link.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.