Familja Bytyqi

Vuçiqit i kërkohet të ndihmojë në zbulimin e vendeve të varreve masive në Serbi

Familja e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të vrarë në Serbi i kërkoi presidentit Aleksandër Vuçiq të ushtronte presion mbi një ish-zyrtar serb të policisë të dënuar për krime lufte në Kosovës, Vlastimir Gjorgjeviq, për të zbuluar vendet e varreve masive.

 

Në letrën e tyre për Aleksandër Vuçiqin të hënën, familja e vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi tha se ata janë të bindur se Vlastimir Gjorgjeviq ka informacione jetike që mund të ndihmojnë gjetjen e varreve masive dhe i kërkuan presidentit dhe qeverisë serbe ta nxisin atë që të japë informacione.

“Nëse ai nuk bashkëpunon në gjetjen e varreve masive dhe në hedhjen dritë mbi çështjen Bytyqi, ju bëjmë thirrje të kundërshtoni haptazi lirimin e parakohshëm nga burgu të Vlastimir Gjorgjeviq,” thuhej në letrën e familjes dërguar presidentit Vuçiq.

Gjorgjeviq, një ish-zyrtar i rangut të lartë i ministrisë së brendshme serbe, i cili u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata e Hagës për krime lufte në Kosovë, mund të fitojë lirim të parakohshëm më 17 qershor pasi ka kryer dy të tretat e dënimit të tij.

Familja e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit – shtetas amerikanë me origjinë shqiptare të vrarë në Serbi në vitin 1999 – thanë më 20 maj se po nisnin një fushatë kundër lirimit të mundshëm të hershëm të Gjorgjeviqit, i cili ata dyshojnë se ka qenë i implikuar në vdekjet e të afërmve të tyre.

Familja Bytyqi tha të hënën se deri më tani janë mbledhur rreth 2,000 nënshkrime kundër lirimit të hershëm të Gjorgjeviqit. Të premten 34 OJQ nga Serbia dhe Kosova nënshkruan një letër drejtuar presidentit të Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë, duke mbështetur qëllimet e fushatës, tha gjithashtu familja.

Ditën e hënë familja Bytyqi i dërgoi gjithashtu një letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, duke i kërkuar atij të kundërshtojë lirimin e parakohshëm nga burgu të Gjorgjeviqit.

Letra drejtuar të dy presidentëve u risjell në kujtesë atyre se ka ende 1,654 persona të zhdukur që nga koha e luftës, nga të cilët 1,092 janë shqiptarë dhe 562 janë serbë dhe romë. “Nuk ka asnjë dyshim që ekzistojnë ende varre të tjera masive,” thuhej në letër.

Të tre vëllezërit Bytyqi shkuan të luftonin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit dhe u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës ndërsa shkelën një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi shlyen dënimet për kalim të paligjshëm kufiri, ata u arrestuan përsëri pasi dolën nga burgu në qytetin Prokuplje në Serbinë jugore, u dërguan në qendrën policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.

Ata më pas u lidhën me tel nga një person i panjohur dhe u çuan pranë një grope plehrash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe më 9 korrik 1999.

Gjatë gjyqit të dy oficerëve të policisë serbe të cilët u përfundimisht u liruan nga akuzat për transportimin e vëllezërve në qendrën policore të trajnimit, dëshmitarët pohuan se Gjorgjeviq i urdhëroi ata t’i çonin shqiptaro-amerikanët në Petrovo Selo.