Kongresi Amerikan, thirrje Serbisë të gjejë vrasësit e vëllezërve Bytyqi

Dhoma e Përfaqësuesve të martën unanimisht miratoi rezolutën që i bën thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë dhe gjykojnë sa më shpejt të jetë e mundur “ata zyrtarë aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës” për vrasjen e Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqit në Serbi në korrik 1999 .

Tre vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, shkuan për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit në vitin 1999, por u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës ndërsa kaluan një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi vuajtën dënimet për kalim të paligjshëm të kufirit, ata u arrestuan përsëri ndërsa po largoheshin nga burgu i qarkut në qytetin Prokuple në jug të Serbisë, u dërguan në një qendër stërvitore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një depo atje.

Ata më pas u çuan në një gropë mbeturinash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe më 9 korrik 1999.

Rezoluta tha se “është për t’u dënuar fakti që asnjë individ nuk është gjetur kurrë fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyqi, ose për ndonjë krim tjetër të lidhur me vdekjen e tyre dhe se asnjë individ nuk po përballet me akuza për këto krime të tmerrshme”.

Ajo tha gjithashtu se “progresi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”.

Rezoluta tani do të kalojë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke i hapur rrugë miratimit të saj të plotë nga Kongresi.

Familja Bytyqi shpreson që të dërguarit e rinj amerikanë të emëruar për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi, Matt Palmer dhe Rich Grenell, do ta vendosin çështjen e vëllezërve në axhendën e tyre në Beograd.

“Familja ime është shumë e përulur nga veprimi i Kongresit sot. Shpresojmë që Përfaqësuesi Special Matt Palmer dhe i Dërguari Special Rich Grenell do t’i dëgjojnë këto zëra dhe do t’i japin përparësi çështjes së vëllezërve Bytyqi dhe drejtësisë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të shpërfillen”, tha në një deklaratë Ilir Bytyqi, vëllai i burrave që u vranë.

Familja Bytyqi beson se Goran Radosavleviq, i njohur ndryshe si Guri, ish-komandanti i një njësie speciale të policisë dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Selo, është i dyshuari kryesor në këtë rast.

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi kufizime udhëtimi për Radosavleviqin në dhjetor 2018 për shkak të rolit të tij të dyshuar në shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë.

Radosavleviq pretendon se ai ishte me pushime gjatë kohës së ndodhën vrasjet dhe mohon çdo shkelje nga ana e tij.

Ai tani është zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe, partia qeverisëse e Aleksandër Vuçiq.