Erdogan do ndryshimin e Marrëveshjes së Dejtonit të Bosnjës

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Ankara, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologia e tij kroate ranë dakord të dy se marrëveshja e paqes e vitit 1995 që i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë nuk po funksionon.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje të mërkurën për rishikimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 në Ankara së bashku me presidenten kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, gjatë një vizite zyrtare.

“Dejtoni duhet të rishikohet. U kuptua gjatë të kaluarës që Dejtoni në këto rrethana nuk mund të prodhojë asnjë zgjidhje për të ardhmen e Bosnjës,” tha presidenti turk, njoftoi Agjencia Anadolu.

“Kombet e Bashkuara duhet të përditësojnë Dejtonin dhe duhet të ndërmerret një hap më i fortë,” shtoi Erdogani.

E nënshkruar në Dejton Ohajo në Shtetet e Bashkuara 22 vjet më parë, marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995 me një sistem shtetëror kompleks të bazuar në ndarjen e pushtetit midis tre kombeve përbërëse të vendit, boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), serbëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës.

Kritikët thonë se ajo e ka lënë Bosnjën në një ngërç politik dhe ka thelluar ndarjet etnike të vendit.

Kroacia, ndërkohë, është ankuar prej kohësh se kroatët etnikë në Bosnjë janë të margjinalizuar, pasi secili nga dy entitetet e vendit dominohet nga serbët ose boshnjakët.

Erdogani vuri në dukje të mërkurën në mbrëmje se Marrëveshja e Dejtonit ishte krijuar në një kohë të shkurtër dhe me ngut.

“Marrëveshja e Dejtonit ka shumë mangësi dhe nuk mund të prodhojë ndonjë zgjidhje. Ndryshimi çdo tetë muaj i anëtarëve të këshillit presidencial dhe moskrijimi i një ushtrie të duhur janë probleme serioze për Bosnjën,” vuri në dukje Erdogani.

Agjencia kroate e lajmeve Hina tha se presidentja Grabar Kitaroviç konfirmoi se ajo u pajtua me deklaratën e një gazetari mbi “ritmin zvarritës të ndryshimeve” në Marrëveshjen e Dejtonit.

Sipas faqes së internetit të presidencës kroate, dy liderë shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi ngjarjet aktuale në rajon dhe mbi gjendjen në Europën Juglindore.

“Vizita e Erdoganit në Kroaci inkurajoi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe këto efekte tashmë janë duke u ndjerë,” tha presidentja e Kroacisë në konferencën për shtyp, njoftoi Jutarnji List e Kroacisë.

Të dy liderët theksuan rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

“Unë duhet të vij me biznesmenë turq në vizitën time të parë në Zagreb dhe të ulem dhe të takohem me homologë kroatë,” tha Erdogan duke shtuar:

“Ne synojmë të rrisim vëllimin vjetor tonë të tregtisë deri në një miliard dollarë amerikanë. Vëllimi ynë tregtar është rritur gjatë viteve të fundit dhe arriti në 575 milionë dollarë amerikanë në 11 muajt e parë të vitit 2018,” vuri në dukje ai.

Para konferencës së përbashkët për shtyp, u nënshkruan disa marrëveshje mbi çështjet fetare, kulturore dhe humanitare.