Edukimi për planifikim familjar, sfidë për institucionet kosovare

Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA-Zyra në Kosovë dhe institucioni i Avokatit të Popullit, organizuan tryezën “Planifikimi familjar është e drejtë njerëzore”, në Ditën Botërore të Popullsisë.

Ulrika Richardson, koordinatore e UNFPA dhe koordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara, deklaroi se viteve të fundit është shënjuar një zhvillim fundamental sa i përket planifikimit familjar.

“Në të 17 synimet e Konferencës  mbi Popullatën për zhvillim të qëndrueshëm është edhe e drejta  për riprodhim dhe planifikim familjar.  Shoqëritë tona përparojnë sa i përket të drejtave seksuale dhe riprodhuese”, tha Richardson.

Ajo gjithashtu theksoi se institucionet kombëtare duhet të jenë llogaridhënëse për këtë temë.

“Planifikimi familjar zbret gjasat për shtatzëni të hershme. Dëshirojmë një botë të lirë, ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar dhe çdo fëmijë të jetë i dëshiruar. Shërbimet duhen të jenë të qasshme për të gjithë pavarësisht gjendjes ekonomike të femrave dhe meshkujve. Sipas një anketimi të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregohet se përdorimi i kontraceptivëve modern në Kosovë është i ulët. Kjo tregon që duhet të merren masa nga ministria e Shëndetësisë”, tha përfaqësuesja e UNFPA-së.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari theksoi se institucioni që ai drejton gjithë punën e vet e mbështetë mbi bazën e standardeve kushtetuese për të drejtat e njeriut.

Jashari njoftoi se kanë zhvilluar një hulumtim të parë të këtij lloji sa i përket të drejtave për planifikim familjar.

“Për rëndësinë e shëndetit seksual kemi dhënë 63 rekomandime, të cilat ua kemi adresuar institucioneve gjegjëse. Roli jonë në këtë kuadër është synimi qe rekomandimet të vleresohen dhe të aplikohen”, tha ai.

Rrustem Musa, Zëvendësministër i Shëndetësisë, tha së ky institucion e ka të qëndrueshëm angazhimin  për të përmirësuar shëndetin e popullatës në veçanti për shëndetin riprodhues.

“Ne kemi përkrahur hulumtimin për të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues në Kosovë në bashkëpunim me Avokatin e Popullit. Ky është obligim i përbashkët. Ende nuk i kemi mbushur të gjitha rekomandimet nga raporti, ndërkaq furnizimi me mjete kontraceptive bëhet varësisht nga kërkesat”, tha Musa.

Ndërsa, Mexhide Mjaku-Topalli, udhëheqese e Grupit të Grave të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se si grupi i grave deputete kanë paraparë disa objektiva të hartojnë politika dhe strategji kur është në pyetje qytetari.

“Na duhet të investojmë si shtet për rritjen e natalitetit, përvç mbrotjes së shëndetit riprodhues, problematikë është edhe rënia e lindjeve. Është e drejtë e nënave, grave të dinë se si të planifikojnë rritjen e familjes së tyre”, tha deputetja.