Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Foto: Facebook.

Edi Rama e merr edhe postin e ministrit të jashtëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, merr postin edhe të Ministrit te Jashtëm, de jure, derisa të ngrihet Gjykata e re Kushtetuese dhe të sqarohen kompetencat e presidentit mbi dekretimin e ministrave, raporton televizioni tiranas Oranews.

Këtë vendim PS e mori pas ngërçit të krijuar me mos dekretimin nga presidenti Ilir Meta të Gent Cakës në postin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese.Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.” shkruan Rama në një status në Twitter.

Pas përfundimit të afatit kushtetues prej 7 ditësh presidenti Meta, përveç refuzimit të Gent Cakës nuk dekretoi as shkarkimin e Ditmir Bushatit. Një ide mes socialistëve në mbledhjen e sotme (14 janar) të kryesisë PS ishte që propozimin e Gent Cakës ta votoni direkt duke anashkaluar presidentin por më pas kanë vendosur të mos i përgjigjen shkeljes që sipas tyre bëri presidenti.

Ndërkohë për presidentin Meta ky ishte reagim për të mos pasur shtet të rremë.

Për të propozuar sërish Gent Cakën si ministër të Jashtëm socialistët duhet të presin ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ata janë të bindur se gjykata do u japë të drejtë.

Emri i Edi Ramës si ministër i Jashtëm është në tryezën e presidentit duke pritur dekretin ndërkohë socialistët do votojnë në bllok emrat e ministrave të rinj.Kjo do të thotë që në rast se ministri i ri i Jashtëm nuk dekretohet deri më 21 janar, votimi do të shtyhet për të pritur dekretin e presidentit ndërsa mbledhja e kryesisë së PS-së u fokusua në analizën e raporteve të votave, si dhe të organizimit të PS-së në qarqe të caktuara, raporton oranews.