Foto: Ilustrim

Edhe AAK dhe Nisma Kritikojnë Qeverinë

Në dy reagime të ndara, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën kanë vlerësuar se organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë përbëjnë shkelje të Kushtetutës së vendit.

Në reagimin e AAK-së thuhet se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të lejuar që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër, është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe Kushtetutës së vendit. Kjo është një goditje edhe për përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës. Koncesionet që Qeveria e Kosovës po i bën Qeverisë së Serbisë, siç janë edhe votimet në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë, janë edhe kundër vetë interesit të popullatës serbe,” thuhet në reagimin e AAK-së

Edhe Nisma për Kosovën lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë e konsideron të papranueshëm e fyerje për vendin.

“NISMA për Kosovën konsideron se veprimi i institucioneve të Kosovës për lejimin e mbajtjes se votimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë është i papranueshëm dhe është fyerje për shtetin e Kosovës. Lejimi nga ana e institucioneve të vendit tonë, që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër është shkelje e rëndë e Kushtetutës së Kosovës. Ky veprim është po ashtu në kundërshtim me përpjekjet e vendit tonë për integrimin e pakicës serbe në institucionet tona,” thuhet në reagimin e Nismës.

Kundër zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ka reaguar edhe Vetëvendosje, por të tri partitë opozitare reagimet i kanë bërë të ndara.

http://kallxo.com/zgjedhjet-serbe-lvv-kritikon-qeverine-e-kosoves/