Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

E pret me lot dënimin e të birit për grabitje

Shpallja e dënimit ndaj të akuzuarve Stefan Milosavleviq dhe Dushan Krickiq sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës u prit me lot nga nëna e këtij të fundit.

Dushan Krickiq dhe Stefan Milosavleviq janë dënuar nga Gjykata e Mitrovicës më nga 3 vjet e gjashtë muaj dënim më burg si dhe me nga 500 euro gjobë për kryerjen e veprës penale të grabitjes, raporton www.kallxo.com.

Kurse meqë të pandehurit Stefan Milosavleviq i ishin gjetur edhe substanca narkotike e cila përmbante kanabis (marihuanë) që përmban Tetrahidrokanabinol (THC ) pesha neto 1.21 gram, po ashtu edhe një cigare me mbishkrimin “Marlboro” që pas ekzaminimit kishte dalë se përmban kanabis (marihuan) dhe nikotinë me peshë 0.43 gram, Gjykata e ka dënuar më 400 euro.

Ndërsa dënim unik Milosavleviqit i është shqiptuar 3 vjet e gjashtë muaj si dhe 900 euro gjobë.

Paraprakisht në Gjykatë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj këtyre dy të akuzuarve.

Kurse pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ismet Ujkani, të akuzuarit Dushan Krickiq dhe Stefan Milosavleviq u deklaruan se ndihen fajtorë, duke pranuar kështu fajësinë për këtë vepër penale, dhe duke shprehur keqardhjen për atë se çfarë kishte ndodhur, raporton KALLXO.com.

Meqenëse aktakuzat për dy të dyshuarit janë ngritur në kohë të ndryshme, prokurori i rastit Ismet Ujkani gjatë  leximit të akuzës ka bërë precizimin e saj në një të vetme, duke shpjeguar se datat e ndryshme të aktkauzës janë për shkak të rrethanave të zhvillimit të procedurës paraprake, pasi që Prokuroria akuzën ndaj të pandehurit Dushan Krickiq e kishte ngritur pasi që ka zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ku kishte siguruar të pandehurin dhe e ka marrë në pyetje.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Imer Ahmetaj dhe Nebojsha Vlajiq, me rastin e paraqitjes së mbrojtjes kanë kërkuar nga Gjykata që për të mbrojturit e  tyre me rastin e matjes së dënimit të marrë parasysh rrethanat lehtësuese si ajo e pranimit të fajësisë, fakti që të pandehurit në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur madhor dhe se janë penduar thellësisht për atë se çfarë kishin bërë.

Ndryshe, Prokuroria akuzon Dushan Krickiqin dhe Stefan Milosavleviqin se me gjashtë mars 2015 në Zveçan  së bashku nën përdorimin e forcës dhe duke pasur me vete mjete të rrezikshme – kaçavida, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuari Blagoje Saviq.

Sipas akuzës, ata të maskuar me kapela në kokë kishin hyrë në marketin e të njëjtit, derisa në market kanë qenë punëtorët Bilana Radovanoviq dhe Mlladen Gozdoviq, të cilët ishin sulmuar nga të pandehurit.

Dy të akuzuarit nga arka e marketit i kishin marrë 84.000 dinarë dhe 320 euro, ndërsa më pas kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë kanë kryer veprën penale – grabitje.

Gjithashtu, të pandehurit Stefan Milosavleviq me dhjetë mars 2015 pas ndalimit dhe kontrollimit nga policia i kishte gjetur substanca narkotike e cila përmbante kanabis (marihuanë) që përmban Tetrahidrokanabinol (THC) pesha neto 1.21 gram, po ashtu edhe një cigare me mbishkrimin “Marlboro” që pas ekzaminimit kishte dalë se përmban kanabis (marihuanë) dhe nikotinë me peshë 0.43 gram, të cilat i pandehuri i kishte poseduar pa autorizim.

Këto më pas ishin konfiskuar nga Policia, ndërsa Milosavleviq me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale – posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Kurse me rastin e shpalljes së dënimit nga ana e gjyqtarit Burim Ademi, të pandehurit Krickiq dhe Milosavleviq për veprën penale të grabitjes u dënuan me nga 3 vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe me dënim me gjobë nga 500 euro për secilin.

Gjobën prej 500 euro të pandehurit duhet ta paguajnë në afat prej 3 muaj pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse nuk bëhet pagesa, ajo do të zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritu 20 euro për një ditë.

Ndërsa i pandehuri Milosavleviq për veprën penale të posedimit të narkotikëve u dënua me dënim me gjobë 400 euro.

Për shpenzime procedurale nga Gjykata janë detyruar të paguajnë nga 40 euro, ndërsa secili nga 50 euro për kompensimin e viktimave.

Gjyqtari Burim Ademi gjatë një arsyetimi të shkurtër ka thënë se Gjykata edhe përkundër faktit se vepra ka pasur një lartësi të madhe rrezikshmërie për shoqërinë, ka vlerësuar se ka pasur bazë për të zbutur dënimin nën minimum, pasi që të pandehurit i kanë kuptuar pasojat dhe kanë shprehur pendimin, andaj gjykata ka zbutur kështu dënimin për të pandehurit.