Durrës, hyn me ‘Kallashnikov’ në qendrën e votimit, kërcënon komisionerët dhe thyen kutinë me vota

Një incident i rëndë gjatë procesit të sotëm zgjedhor në Shqipëri është regjistruar në Durrës.

Sipas Policisë së Shtetit, një qytetar ka hyrë me armë në qendër të votimit, ka kërcënuar komisionerët, ka thyer kutinë e votimit.

Ai është arrestuar në flagrancë nga Policia.

Me këtë rast, Policia i ka sekuestruar një armë zjarri “Kallashnikov”.

Rasti ka ndodhur rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, ku shtetasi R.B. 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore.

Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.