Drejtori i rikthyer Agim Sopi, kërkon shkarkimin e Këshillit Drejtues të TKK-së

Drejtori i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës Agim Sopi, i rikthyer në krye të TKK-së, ka drejtuar një mal me akuza ndaj Bordit Drejtues të Teatrit të Kombëtar të Kosovës, por edhe vet Ministrinë e Kulturës.

Në një konferencë të mbajtur për media të hënë, 1 tetor 2018, Agim Sopi ka pohuar se ai është shkarkuar jashtëligjshëm nga një bord, siç ka thënë ai i paligjshëm ku pjesa dërmues e anëtarëve të tij janë emëruar në kundërshtim me ligjin dhe siç ka thënë ai ‘nuk kanë lidhje apo nuk janë profesionist të teatrit’.

Për më tepër ia ka thënë se bordi aktual i TKK-së, është thellësisht politik dhe i përbërë nga militantë të Partisë Demokratike.

Ndërsa ka porositur kryetarin e Partisë Demokratike Kadri Veseli se ka një rast të mirë për të larguar njerëzit e këqij nga partia.

“Zot Kadri Veseli para disa ditëve ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme Partia Demokratike do të pastrohet nga njerëz të korruptuar, nga lakej dhe të padijshmit, ja ku e ka shansin e parë, sepse këshilli drejtues i TKK-së është i kompozuar ekskluzivisht nga militantë të PDK-së. Le të veprojë”, ka thënë ai.

Më tej ai ka thënë se ka qenë i dëbuar nga TKK-ja nga njerëz të politikës, nga njerëz të paligjshëm të korruptuar, njerëz që, siç ka thënë ai,  kanë ardhur me paramendim të ndërsyer nga oligarkët politik për ta shkatërruar TKK-në, dhe se është dëbuar nga Teatri me paramendime politike, pasi, siç ka vazhduar ai më tej ka kundërshtuar logjikën e vënies së censurës dhe ndalimit të veprave me paramendime politike.

Ai ka thënë se Burbuqe Berisha, ishe kryetare e KD-së, ishte tërhequr pas një opinioni të Agjencisë Kundër Korrupsion, pasi ajo në kohën kur është emëruar në krye të bordit ishte prodekane dhe drejtonte teatrin “Fahruk Begolli” të AAB.

“Por në konflikt të interesit shumë më thellë se Burbuqe Berisha kanë qenë edhe Valon Kashtanjeva, i cili është drejtor i Departamentit të Drejtave të Autorit  dhe Shkëlqim Millaku, dekan në Universitetin Publik të Prizrenit. Por, edhe opinionet e agjencisë antikorrupsion janë selektive, pasi edhe pse kam kërkuar opinion edhe për ta, agjencia ka sanksionuar vetëm Berishën”, ka thënë ai.

Nisur nga këto shkelje dhe veprime të paligjshme të bëra nga KD-ja, Sopi ka thënë se që nesër do të kërkojë nga Ministri i Kulturës për të shkarkuar bordin aktual të TKK-së, dhe nëse ministri nuk pajtohet, atëherë Sopi do ta padisë në gjykatë.

Sipas tij, KD-ja e TKK-së, ka rënduar TKK-në për sa kohë ai ishte larguar nga puna. Dëshmitar sipas tij, janë rënia drastike e shikueshmërisë pas shkarkimit të tij, dhe repertori i miratuar nga Këshilli drejtues i cili, sipas tij përjashton tekstet origjinale

Ai ka përmendur edhe rastin e përplasjes së tij me KD-në për dramën e Veton Surroit, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, duke ripohuar se ka qenë një censurë.

Se këta njerëz e kanë shkatërruar TKK-në, ka thënë ai,  janë dëshmitë e rënies së shikueshmërisë, pas shkarkimit të tij nga pozita e drejtorit të TKK-së.

Ai ka përmendur një sërë veprimesh të paligjshme që sipas tij, të bëra nga Këshilli Drejtues i TKK-së. Përveç miratimit të repertorit të këtij viti nga KD-ja, që sipas Sopit është bërë paligjshëm pasi nga aty janë hequr, siç ka thënë ai, me paramendime politike dy tekstet e autorëve më të mirë shqiptar, “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, dhe “Shembja e Kullës së Aifellit”, e Jeton Nezirajt.

“Këto tekste janë zëvendësuar më tekste të huaja dhe premierat e tyre kanë sjellë një nivel estetik që lë shumë për të dëshiruar dhe që më së miri reflekton me ikjen e publikut nga teatri”.

Ai ka thënë se KD-ja gjatë kësaj kohe sa ka qenë jashtë Teatrit kanë ndodhur favore, zhvatje dhe veprime të paligjshme nga ana e KD- së.

Ai ka ftuar organet përkatës për të  hetuar abuzimet, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat e bëra në adresë të tij, për sjellje dhe lejim të shkeljeve ligjore në TKK-në.

Sopi ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të TKK-së më 27 mars të këtij viti nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ndërsa javën e kaluar KD-ja vendosi të respektoj një vendimit të Këshilli  të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimin Civil të Kosovës, të marrë në muajin e kaluar për kthim të Sopit në krye të Teatrit, pasi kishte konstatuar se ai ishte shkarkuar jashtëligjëm