Drejtori i Qendrës Kulturore në Vushtrri u zgjodh pa plotësuar kriteret

Komuna e Vushtrrisë ka bërë disa shkelje në procedura të rekrutimit duke punësuar njerëz të pakualifikuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për këtë komunë thotë se në konkursin për drejtor të Qendrës Kulturore u shkelën kriteret e rekrutimit.

“Në procedurën e rekrutimit për pozitën “Drejtor i qendrës kulturore” nuk ishin respektuar kriteret e rekrutimit. Nuk ishte dokumentuar kriteri i obligueshëm prej katër vjet përvojë punë në udhëheqje”, thuhet në raport.

Ngjashëm ishte punësuar një mësues në një shkollë të Vushtrrisë megjithëse nuk plotësoi kriteret.

“Në procedurën e rekrutimit për pozitën “Mësues klase”, kontrata për personin e angazhuar ishte lëshuar për kohë të pacaktuar, ndonëse nuk e plotësonte kriterin e përvojës së punës”, thuhet në raport.

Përveq kësaj, gjatë vitit 2017 Komuna Vushtrrisë kishte punësuar 18 punonjës me ‘kontrata mbi vepër’ të cilët zunë vend në pozita që kërkojnë shërbyes të rregullt civil.

“Komuna, gjatë vitit 2017 ka angazhuar 18 punonjës si staf me marrëveshje për shërbime të veçanta (MSHV). Angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të konkursit publik. Shumica e të punësuarave në këtë formë janë vendosur në pozita të rregullta të punës. Kjo ishte si pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit”, gjeti auditori.