Salim Jenuzi, kryetar i komunës së Dragashit

Dragashit i Zvogëlohet Numri i Banorëve Dhe i Rriten Problemet

Komuna e Dragashit është njëra ndër komunat e pakta që nuk ka as një drejtori që udhëhiqet nga femrat, ndërsa është njëra ndër të vetmet që nuk ka nda as njëherë bursa për nxënësit dhe studentët e saj tash e tre vjet.

Kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi u rizgjodh sërish kryetar në vitin 2013, duke premtuar vazhdim të asaj që ai e quante “flugë e punës”, ndërsa tash pas dy viteve, ai po akuzohet nga asamblistët opozitarë për mos përmbushje të premtimeve.

Në debatet dhe fushatën për zgjedhjet e vitit 2013, Jenuzi kishte premtuar arsim cilësor dhe ndërtimin e shkollave në fshatin Llapushnik, Kosavë dhe Buce sepse “ka mungesë të hapësirave të objekteve shkollore”, ndërsa tash mospërmbushjen e këtij premtimi e arsyeton me faktin e mungesë së truallit për ndërtim.

“Problem ka qenë mos gjetja e vendit apo truallit, se ku do të ndërtohet shkolla”, tha kryetari i Dragashit në debatin në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”.

Por, me këtë arsyetim nuk pajtohet asamblisti i LDK-së Halim Shemsedini, i cili tha se “kjo është neglizhencë dhe mosangazhim i kryetarit”.

“Trualli nuk besoj që është problem nëse angazhohet kryetari dhe mundem me kuptu qysh nuk mundet me gjetë truall”, tha Shemsedini.

Tash pas dy viteve drejtori i arsimit në këtë komunë, Hajri Ramadani, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe është dënuar me dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti dhe mos ushtrim të detyrave në administrate publike në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Kryetari Salim Jenuzi, kur u pyet pse e mban në postin e drejtorit një të dënuar për keqpërdorim zyrtare,  tha se ky “aktgjykim nuk mjafton për ta shkarkuar nga puna drejtorin e arsimit”.

Ai tha se nuk do të marrë masa derisa gjykata ta bëjë të plotfuqishëm vendimin.

Po ashtu kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, u pyet nga Jeta Xharra edhe për shkollën profesionale, e cila ka nisur të ndërtohet ne vitin 2008 dhe ende nuk ka përfunduar. Kryetari Jonuzi mori lavdin e tha se këtë shkollë e ka kërkuar ai që të ndërtohet në këtë komunë, ndërsa kur u pyet për vonesën e ndërtimit të saj, përgjegjësinë ia gjuajti Ministrisë së Arsimit.

“Këtë shkollë nuk e ka ndërtuar komuna, por ministria e arsimit, kjo është arsyeja”, tha Jenuzi.

Por asamblisti i LDK-së, Halim Shemsedini, akuzoi kryetarin për një investim “totalisht të gabuar”.

“Këtu faji është i qeveritarëve dhe kryetarit të komunës që kanë propozuar një shkollë të tillë të ndërtohet në një vend jo adekuat, pasi është në periferi të qytetit dhe së dyti nuk ka nxënës për këtë shkollë, pasi është gjimnazi”, tha Shemsedini.

Jenuzi u ankua edhe për buxhetin e vogël të komunës i cili nuk po mjafton që tëpërmbushen nevojat e komunës.

Sipas tij, ndarja e buxhetit po bëhet në bazë të numrit të banorëve në komunë ndërsa tha se “numri i banorëve në Dragash vazhdimisht po bie”.

Po ashtu kryetari Jonuzi, u pyet edhe për mos dhënien e bursave  për nxënësit dhe studentët e kësaj komune, pasi komuna e Dragashit është ndër komunat e vetme që nuk ndan bursa për studentët e saj. Ai e arsyetoi mos dhënien e bursave me buxhetin e vogël të komunës.

“Bursa me siguri edhe më tutje nuk do të jepen për arsye të buxhetit të vogël që ka komuna e Dragashit”, tha kryetari i komunës.

Komuna e Dragashit është e rrethuar më bukuri natyrore por problemin më të madh e ka derdhjen e ujërave të zeza nëpër lumenj. Kryetari i Dragashit, u pyet për mos funksionalizimin e impiantit në fshatin Krape dhe derdhjen e ujërave të zeza nëpër prona private, ndërsa ai fajin ia la investitorit.

“Investitor ka qenë Komisioni Evropian, ndërsa punimet ka pasur me i krye një firme maqedone-kroate, e cila ka probleme me nënkontraktorët, dhe kjo është arsyeja pse ende ky impiant nuk është funksionalizuar”, tha kryearti i Dragashit.

Halim Shemsedini nga LDK-ja tha se kanalizimi është njëri prej probleme kryesore në këtë komunë dhe si shembull e mori fshatin e tij, Zaplluxhë.

“Në fshatin tim komuna e ka rregulluar kanalizimin, por ai prapë nuk është funksional, pasi që vetëm i ka vendosur gypat dhe nuk është krye puna si duhet”, tha ai.

Edhe asamblisti tjetër nga LDK-ja, Samedin Xheladini, denoncoi derdhjen e ujërave të zeza nëpër prona private.

Krahas ujërave të zeza të derdhura gjithkund, bukurinë natyrore Dragashit ia zbehin edhe mbi 10 deponitë ilegale të mbeturinave.

Po ashtu në debat u ngrit edhe çështja e ndërtimi të rrugëve Blaq, Tyrbe, Dragash- Prizren dhe Zaplluxhe- Prizren, të cilat i kishte premtuar Jenuzi, ndërsa sot thotë se “për ndërtimin e këtyre rrugëve duhet të pritet përfundimi i autostradës për Shkup”.

Jenuzi gjeti një mënyrë për ta larguar përgjegjësinë nga ato që ka premtuar në fushatë dhe që nuk ka mundur t’i realizojë.

“Është më pak e rëndësishme ajo që kam thënë, e rëndësishme është ajo çka po them sot”, u shpreh ai.