Rigjykimi i Maliq Birinxhikut (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Polici në Skenderaj u vra për hakmarrje

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar rigjykimi ndaj Maliq Birinxhikut, i akuzuar për vrasjen e policit Valon Goxhuli, në Skenderaj.

Për vrasjen që kishte ndodhur në shtator të vitit 2015, si dhe vrasjen në tentativë të të dëmtuarit Arsim Fejza, i akuzuari nga Gjykata e Mitrovicës më 18 maj 2018 ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 21 vjet burgim.

Mirëpo, pas aprovimit të ankimimit të mbrojtësit të të akuzuarit Birinxhiku, avokatit Ndrecë Dodaj, Gjykata e Apelit lëndën e ka kthyer në rigjykim, sipas aktvendimit të 18 tetorit 2018.

Në seancën e sotme dëshmi ka dhënë dëshmitari Afrim Kadriu.

Për të dytën herë Kadriu ka treguar para Gjykatës si ishte vrarë polici Goxhuli në Skenderaj.

Pas pyetjes së prokurorit Njazi Rexha, dëshmitari Kadriu ka treguar se ditën kur kishte ndodhur ngjarja ai kishte qenë në një mishtore aty afër ku edhe kishte dëgjuar dy herë të shtëna armësh, ndërsa kur kishte dalë kishte parë njerëz të shumtë të cilët sipas dëshmitarit ishin grumbulluar afër Stacionit të Autobusëve.

Dëshmitari gjithashtu kishte shtuar se kishte parë një veturë ngjyrë hiri, e cila sipas tij kishte shkuar në drejtim të qytetit, në të cilën kishte qenë personi i cili kishte shtënë me armë.

Tutje para trupit gjykues me kryetar Beqir Halili dhe anëtarë Avni Mehmeti dhe Tomislav Petroviq, dëshmitari ka shtuar se në vendin e ngjarjes kishte qenë edhe një djalë tjetër i plagosur dhe një grua.

Ndërsa nga dosja e Prokurorisë rezulton se tashmë i ndjeri, polici Valon Goxhuli në ditën kritike kishte qenë në veturë me gruan dhe vëllanë e saj.

Kurse dëshmitari ka deklaruar se mbetej pranë deklarimeve të cilat i kishte dhënë në Polici dhe Prokurori, ani pse për disa detaje rreth rastit ka shtuar se për shkak se ka kaluar kohë e gjatë nga dita kur kishte ndodhur ngjarja, mund të mos i kujtoheshin.

Në seancë nuk kanë prezantuar dy dëshmitarët Ali dhe Astrit Aliu, për të cilët Gjykata është njoftuar se të njëjtit gjenden jashtë Kosovës duke punuar.

Ndërsa për shkak që të njëjtit nuk mund të prezantojnë në seancë, trupi gjykues ka marrë aktvendim për leximin e deklaratave të dëshmitarëve.

Kjo është kundërshtuar nga avokati Prek Kola, i cili në seancën e sotme e ka mbrojtur të akuzuarin Maliq Birinxhiku.

Meqenëse dëshmitarët e tjerë nuk kanë qenë të pranishëm në seancë, seancat e radhës u caktuan të mbahen në muajin shtator.

Ndryshe, Prokuroria e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të Stacionit të Autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.

Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllanë e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Qubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku. Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog.

Në lidhje me rastin e vrasjes së Bekim Birinxhikut, i ndjeri Valon Goxhuli ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Mitrovicës në maj të vitit 2015. Vrasja e Bekim Birinxhikut ka ndodhur më 2 nëntor 2013, pas një zënke që kishin pasur të dy.

Kurse sipas aktgjykimit të cilin atëkohë e kishte shpallur gjykatësi Burim Ademi,  vrasja e Bekim Birinxhikut nga polici Valon Goxhuli ishte cilësuar si vrasje në mbrojtje të nevojshme.