Dikush Po Rren për Orën e Deportimit të Shtetasve Turq

Dy krerët e shtetit- Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë dhënë orë të ndryshme të largimit nga Kosova të aeroplanit me shtetasit turq që u deportuan në shtetin e tyre amë të enjten.

Kryeministri Haradinaj në Kuvendin e Kosovës ka thënë se deportimi i shtetasve turq ndodhi të enjten në mesditë.

“Dje kah mesdita prej mediave dhe palëve të treta kam msu se ka ndodhë deportimi, pra deportimi i gjashtë shtetasve turq. Kanë qarkullu lajme dje ditën se janë në aeroport, ose diç tjetër, informatat që kam mujt me mbledh unë ata dje në mesditë veç kanë qenë në Turki”, tha Haradinaj.

Edhe Kadri Veseli po në Kuvend dha një kohë tjetër të deportimit.

“Kam ba gjithë çka qenë e mundshme. E kam thirrë kryeministrin, e kam thirrë çdo institucion si ka qenë i mundshëm, edhe kam qenë në gjendje me shku në aeroport, fatkeqësia e tyre ka qenë që vonë kanë lajmëru familjarët, kanë lajmëru pas orës 9 e 30, 10:00 në kohhën kur ishin gatu të gjitha ato dhe kanë ikur jashtë”, tha Kadri Veseli.

Zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës Argjend Zenaj i tha dje KTV-së se aeroplani me gjashtë shtetasit turq u largua nga Koosva në orën 17 e 30 të së enjtes.

“Kompania ajrore Birlesik Insaat ka aplikuar për leje fluturimi jo të rregullt/charter më dt 27.03.2018, MI-ja i ka lëshuar leje fluturimi me dt 28.03.2018. Aeroplani ka ateruar në ANP Adem Jashari më dt. 29.03.2018 në orën 07:15 min, me kthim në orën 10:00, por është kërkuar shtyrje e kthimit për në orën 17:30 min. Dhe kjo është e tëra çfarë mund të themi ne si Ministri e infrastrukturës”, ka thënë Argjend Zenaj, këshilltari i ministrit te infrastrukturës.

Por Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se deportimi ka ndodhur në orën 11 e 05 minuta.

http://kallxo.com/policia-konfirmon-se-shtetasit-turq-nuk-jane-ne-kosove/

Shtetasit turq që u arrestuan të enjten në një aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AKI-së u deportuan për arsye të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Ata ishin pjesë e Kolegjit “Mehmet Akif” dhe shkollave tjera të lidhura me të.

Familjarët dhe zyrtarët e kolegjit pretendojnë se disa nga të arrestuarit po mbahen në aeroportin e Prishtinës dhe Ambasadën turke në Kosovë, por EULEX-ia e ka kontrolluar aeroportin dhe nuk ka gjetur asgjë.

http://kallxo.com/avokati-shtetasit-turq-ne-ambasade-dhe-aeroport/

Familjarët e të deportuarve natën e kanë kaluar në aeroport, ndërsa pardje dhe dje kanë protestuar.

http://kallxo.com/familjaret-e-shtetasve-turq-tere-naten-ne-aeroport/

Kryeministri Haradinaj ka liruar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e AKI-së pas këtij zhvillimi.