Driton Gashi para Komisionit Hetimor Parlamentar per rastin e 6 shtetasve turq- 15 nëntor 2018

Ish-shefi i AKI-së vazhdon ‘lojën’ e Presidentit me Komisionin e ‘gylenistëve’

Ish-shefi i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ka refuzuar që t’i përgjigjet sot pyetjeve të Komisionit parlamentar për hetimin e deportimit të 6 shtetasve turq të dyshuar si pjesëtarë të lëvizjes opozitare gyleniste, në mars të vitit të kaluar.

Në seancën e intervistimit, Driton Gashi, sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Driton Selmanaj, ka kërkuar qartësim ligjor të angazhimit të një eksperti të huaj, njëjtë siç e ka bërë edhe Presidenti Hashim Thaçi dhjetë ditë më parë.

Gashi ka qenë shef i AKI-së në kohën e deportimit kontrovers të gjashtë shtetasve turq. Pas kësaj afere, ai qe shkarkuar nga pozita e shefit të AKi-së ndërsa më pas është punësuar në Zyrën e Presidentit.

Gashi qe marrë në pyetje muaj më parë, pa kërkuar qartësimin ligjor të një çështjeje të cilën e ka ngritur Thaçi.

Por sot duket se ka ndërruar qëndrim rreth komisionit.

Driton Selmanaj, pas takimit të sotëm intervistues u shpreh i pakënaqur me mënyrën se si ka ecur intervistimi.

“Nga z.Gashi nuk patëm gatishmëri që të japë deklaratë. Ishte një sjelle gati si e Presidentit”, tha Selmanaj.

“Nuk do të hyjmë në lojën e Presidentit. Nuk do të bëhemi pjesë e skenarëve të Presidentit. Nuk po dorëzohemi ta intervestojmë Presidentin, ne e kemi ftuar dhe ka ardhur dhe e keni pa. Mos dëshmia e tij është dëshmi, ai nuk dëshiron të flasë, por e dimë se ai qëndron pas këtij rasti. Driton Gashi ka vazhduar lojën e Presidentit”, tha Selmanaj.

Ai shtoi se edhe deputetët e PDK-së që janë anëtarë të këtij komisioni janë duke bërë përpjekje për ta penguar punën e Komisionit.