Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori amerikan mirëpret raportin për dëbimin e shtetasve turq

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka mirëpritur miratimin e raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Dy ditë më parë, Komisioni miratori raportin mes kundërshtimeve të përfaqësuesve të PDK-së në këtë komision dhe refuzimit të Presidentit Hashim Thaçi për të raportuar për rrethanat që çuan në dëbimin kontrovers të gjashtë shtetasve turq, të dyshuar si pjesëtarë të lëvizjes së klerikut opozitar turk, Fetullah Gulen, drejt Turqisë.

Ambasadori Kosnett ka thënë se është i kënaqur që ka parë miratimin e raportit pavarësisht përpjekjeve, siç është shprehur, për ta shtypur atë.

“I kënaqur të shoh Komisionin Parlamentar për dëbimin e shtetasve të huaj në vitin 2018 që ka tejkaluar përpjekjet për ta shtypur raportin e vet. Shembull i mirë që Kuvendi ushtron rolin e vet mbikëqyrës”, tha ambasadori Kosnett të premten në një koment në Twitter.