Dëshmitari i Terrorizmit Ndihet i Kërcënuar

Pak javë pasi kishte lajmëruar policinë se në afërsi të Badovcit ka lëvizje të personave të dyshimtë familja e Milaim V. Ishte vizituar nga të afërm të njërit nga të akuzuarit.

Sipas rrëfimit të Milaimit i cili është transmetuar në “Drejtësia në Kosovë” të deleguarit kanë kërkuar nga ai të mos dëshmojë në gjykatë në njërin nga rastet më të përfolura të terrorizmit.

“Kanë ardhë një i afërm i yni dhe na ka thënë se familja e të dyshuarit e ka dërguar të na kërkojë të mos shkojmë në gjykatë”, ka rrëfyer Milaimi për “Drejtësia në Kosovë”.

Ai ka shtuar se për presionet e ka njoftuar Policinë e Kosovës të cilët i kanë marrë një deklaratë.

E kontaktuar nga emisioni, prokurorja e rastit të Badovcit, Drita Hajdari, ka thënë se për këto pretendime ka autorizuar një hetim të Policisë së Kosovës.

Milaim V. ka rrëfyer të premten në emisionin “Drejtësia në Kosovë” mënyrën se si arriti të zbulojë tentativën e grupit prej 5 personash për të filmuar video propagandistike të ISIS në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Arrestimet ishin kryer në korrik të vitit 2015 ndërsa ngjarja kishte bërë bujë për shkak të frikës se njëri nga bazenet kryesore që e furnizon kryeqytetin me ujë mund të ishte cak i aktivitetit terrorist.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: