Stanishiq dhe Simatoviq në Gjykatë. Foto: MICT.

Dëshmitari: Kroatët u Përdorën si Mburoja Njerëzore

Luka Brkiq, dëshmitari i prokurorisë tha në gjyqin e ish-kreut të Sigurimit të Shtetit Serb Jovica Stanishiq dhe zëvendësit të tij Franko Simatoviq në Hagë të enjten se ai u kap nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe luftëtarët serbë gjatë një sulmi në 1991 dhe u përdor si mburojë njerëzore.

Stanisiq dhe Simatoviq akuzohen se kanë pasur kontroll mbi luftëtarët serbë që kryen krime gjatë sulmit në fshatin Skabrnja më 18 dhe 19 nëntor 1991.

Dëshmitari Brkiq, i cili ishte anëtar i rojës vendore të fshatit, tha se shumë banorë përfshirë xhaxhain e tij, hallën dhe fqinjët, u vranë gjatë sulmit.

Pasi u kap nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe nga serbët, ai tha se atëherë ata e vunë atë dhe banorët e tjerë përpara tankeve të ushtarëve serbë, të cilat ecën drejt qendrës së fshatit, duke hapur zjarr në ndërtesat civile, përfshirë edhe shkollën.

Brkiq u transferua pastaj në burgjet në Benkovac dhe Knin, ku tha se ishte keqtrajtuar nga serbët.

Sidoqoftë, Brkiq i identifikoi ndryshe pjesëmarrësit në sulmin ndaj Skabrnjas në disa raste.

Ndërsa po merrej në pyetje nga prokurorët, ai tha se në atë sulm morën pjesë trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave, paraushtarakë të njohur si “Shqiponjat e Bardha” dhe pjesëtarët e forcave policore të rajonit autonom të Serbisë të periudhës së luftës, të paidentifikuara, emblemat e të cilëve ai i pa.

Sipas akuzave, në atë kohë, forcat e policisë së rajonit Krajina dhe grupet paraushtarake serbe u kontrolluan nga shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë, Stanisiq dhe agjenti i inteligjencës së shërbimit në këtë fushë, Simatoviq.

Por, kur iu përgjigj pyetjeve nga avokatët e mbrojtjes, Brkiq tha se pa emblemat në uniformat e policëve të krahinës autonome serbe të Krajinës vetëm pasi mbërriti në burgjet në Benkovac dhe Knin, jo në Skabrnja.

Ai konfirmoi se kishte parë vetëm trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe luftëtarët e “Shqiponjave të Bardha” në Skabrnja.

Brkiq dëshmoi gjithashtu i paqartë nëse ai pa komandantin paramilitar serb Dragan Vasiljkoviq, i njohur si Kapiten Dragani

Sipas akuzave, kapiteni Dragan ishte udhëheqësi i forcave serbe nën kontrollin e Stanisiqit dhe Simatoviqit.

Dëshmitari tha fillimisht se e pa Kapiten Draganin gjatë sulmit në Skabrnja, por pastaj e korrigjoi veten, duke thënë se ishte komandanti i ushtrisë jugosllave Zoran Jankoviq dhe se ai e pa kapitenin Dragan në Burgun e Kninit.

Ai doli në këtë përfundim edhe pse avokati i mbrojes Bakraq këmbënguli se nuk e kishte parë kurrë kapitenin Dragan sepse e kishte përshkruar gabimisht si “një njeri të hollë dhe të gjatë”, ndërsa Vasiljkoviq ishte në të vërtetë “jashtëzakonisht i shkurtër”.

Stanisiq dhe Simatoviq po rigjykohen për persekutimin, vrasjet, dëbimet dhe zhvendosjen me forcë të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një organizate kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, që synonte largimin me forcë dhe në mënyrë të përhershme të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës me qëllim që të arrinte dominimin serb.

Stanisiq dhe Simatoviq e kanë deklaruar veten të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e përmbysi lirimin e tyre në gjyqin e parë.

Dhoma e Apelit vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiqit dhe Simatoviqit që fillimisht u liruan nga akuzat për krimet e luftës në vitin 2013 dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes duke ia kaluar procesin gjykatësve të tjerë.