Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Dëshmitaret Ndërrojnë Fjalët për Vrasjen në Podujevë

Në gjykimin ku për vrasjen e Ismet Sfishtës akuzohet Hysen Sherifi, dëshmitaret Hyra Armoku dhe Fatime Sherifi dhanë versionin e tyre në lidhje me atë që kishin parë më 16 shtator 2016 kur ndodhi vrasja e Sfishtës.

Dëshmitarja Hyra Armoku, e cila njëherësh është edhe fqinja e Hysen Sherifit, pra trupit gjykues e përshkroi veprimet e fqinjit të tij në ditën kritike.

Ajo tha se ka qenë në oborrin e saj kur ka vërejtur Hysen Sherifin me gruan e tij qe kishin ardhur me makinë dhe Hyseni sipas dëshmitares kishte dalë nga vetura për t’i hapur dyert e shtëpisë së tij.

Armoku më tutje tregoi se si u zhvilluan ngjarjet.

“Në momentin që Hyseni ishte duke hyrë në veturë, erdhi një kombi i bardhë dhe e goditi atë, me ç’rast  ai është përplasur nga kombi në veturë të veten”, tha dëshmitarja.

Fqinja e të akuzuarit për vrasje tregoi më tutje se dëgjoi dy të shtëna.

“Pastaj unë u largova nga aty dhe u ktheva në oborrin tim me ç’rast i kam dëgjuar dy krisma, menjëherë kam dalë të shoh se çfarë ndodhi, atëherë kam parë se kombi i bardhë po shkonte prapa dhe pastaj u përplas në murin e fqinjëve të tjerë”, tregoi dëshmitarja në gjykatë.

Hyra Armoku tha se pastaj e ka pyetur Hysen Sherifin se çfarë ka ndodhur.

“Pas kësaj kam shkuar te fqinji im Hyseni të cilin e kam pyetur se çka ka ndodhur, e Hyseni më është përgjigjur se nuk e di as vetë se çka kamë bërë”, deklaroi dëshmitarja.

Asdren Hoxha, avokati i palës së dëmtuar, pas këtij rrëfimi të dëshmitares e pyeti atë se pse kishte ndërruar deklaratën, duke e ballafaquar Hyra Armokun me deklaratën e saj të dhënë në polici, kur kishte thënë se nuk ka parë asgjë.

Dëshmitarja u përgjigj se atëherë ka qenë e tensionuar dhe ajo ç’farë po deklaron sot është e vërteta.

Pas Hyra Armokut, dëshminë e saj e dha Fatime Sherifi, bashkëshortja e Hysen Sherifit.

Edhe Fatime Sherifi, sikurse Hyra Armoku, deklaroi se vetëm sot në gjykatë e di saktësisht se çfarë do të thotë, pasi sipas saj gjatë deklaratës së dhënë në polici kishte qenë shumë e hutuar dhe se edhe për deklaratën e saj të dhënë në prokurori nuk e di se çfarë ka deklaruar.

Dëshmitarja Sherifi tregoi se problemet me Ismet Sfishtën nisën kur djali i saj në Gjermani u nda me dokumente nga vajza e Sfishtës.

“Kur ne kemi ardhur në Kosovë, Ismeti i ka thënë Hysenit se mi keni borxh 200 mijë euro dhe 4 gjaqe”, tha dëshmitarja.

Ajo rrëfeu se në ditën kritike para se të ktheheshin në shtëpi e kishin takuar në qytet tashmë të ndjerin, me ç’rast ata e kishin evituar duke u skajuar anës së rrugës.

Fatime Sherifi tregoi se kur ata kishin mbërritur te rruga pak para shtëpisë së tyre, aty në një qoshe e kishin vërejtur Ismet Sfishtën, i cili si duket kishte qenë duke i pritur.

“Ai na doli përpara me veturë dhe ka marrë hov të madh për të na goditur por nuk na rënë për arsye se Hyseni reagoi shpejt dhe e evitoi duke u hyrë në rrugën para shtëpisë”, tha dëshmitarja.

Fatime Sherifi deklaroi se Ismet Sfishta e përsëriti të njëjtin veprim, kur Hysen Sherifi doli për t’i hapur dyert që të hyjë me makinë në oborrin e shtëpisë.

“Ne jemi ndalë dhe Hyseni ka dalë për t’i hapur dyert e shtëpisë dhe në momentin që ishte duke ardhur për të hyrë në veturë, Ismeti erdhi dhe e goditi veturën me kombi me ç’rast e goditi edhe Hysenin”, tha dëshmitarja Sherifi.

Ajo dha versionin e saj se çfarë ndodhi më tutje.

“Hyseni pastaj ka rënë mbi veturë dhe më pas u rrëzua te dera e veturës në anën ku unë isha e ulur, më pastaj u ngrit në këmbë e hapi derën dhe në veturë e mori një armë me të cilën u mundua ta largonte Ismetin”, tregoi dëshmitarja.

Dëshmitarja tha se pas të shtënave ajo dhe burri i saj nuk e dinin se Hysen Sfishta kishte vdekur, por më vonë e kishin marrë vesh këtë gjë.

“Unë kam qenë brenda në veturë dhe nuk e kam parë se nga ka shtënë, por kur Ismeti ka marrë hov për së dyti për të na goditur neve, atëherë Hyseni ka shtënë për ta larguar Ismetin dhe nga aty unë kam humbur”, tha dëshmitarja.

Seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor, ndërsa gjatë  saj do të vazhdojë marrja në pyetje e Fatime Sherifit.

Hysen Sherifi po akuzohet se me 16 shtator 2016 afër shtëpisë së tij në rr. “Hasan Ramadani”, në Podujevë, me dashje dhe për motive të ulëta edhe pse në atë çast nuk ka qenë i rrezikuar drejtpërdrejt, e ka privuar nga jeta Ismet Sfishtën.

Sipas aktakuzës, Hyseni ka vepruar në atë mënyrë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy familjeve dhe për shkak se djali i tij ishte shkurorëzuar nga vajza e tani të ndjerit Ismet Sfishta raportet e tyre kishin mbetur të acaruara.

“Derisa Hyseni ishte kthyer nga qyteti i Podujevës pasi që i kishte hapur dyert e oborrit për të hyrë brenda me veturën e tij me t’u afruar pranë veturës se tij nga drejtimi i kundërt kishte ardhur edhe i ndjeri Ismeti me kamionetën e tij”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i ndjeri e kishte ndalë kamionetën dhe kishte bërë ndërrimin e shpejtësisë në automjetin e tij për të lëvizur mbrapa, mirëpo në atë moment Hyseni nga vetura e tij e kishte marrë armën dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të tani të ndjerit Ismet Sfishta, me ç’rast një predhë e kishte tejshkuar parafangon, duke e goditur në pjesën e epërme të gjoksit- në qafë të ndjerin.

Në seancën e kaluar dëshminë e kishte dhënë Fatmir Sfishta, i biri i të ndjerit Ismet Sfishta.

http://kallxo.com/filloi-gjykimi-te-akuzuarit-per-vrasje-te-mikut/