Dëshmitarët: ‘Kohlerët’ na Rritën Faturat

Nazmi Rexhepi dhe Qemajl Pozhegu ishin dy dëshmitarë në gjykimin që prokuroria pretendon se orët e markës “Kohler” të vendosura nga KEDS-i u sollën fatura më të larta të energjisë elektrike se ato që pranonin para vendosjes së tyre.

Të akuzuarit e në këtë gjykim janë, Vjollca Ajvazi, Drita Hamiti dhe Avni Alidemaj.

Dëshmitari Pozhegu, si pronar i një banese që e kishte lëshuar me qira, tregoi për shqetësimin e një qiramarrësi të tij.

“Ai është ankuar ka thanë që më janë rritur shpenzimet enorme dhe ka përmend shifrën diku rreth 200 euro, gjatë periudhës së dimrit ka thanë që është rritur diku 200-250 euro përafërsisht dhe unë s’kam pas se çfarë me i thanë se nuk është faji im dhe i kam thanë shko ankohu dhe është ankuar”, tha Pozhegu.

Pozhegu tha më tej se ankesa e qiramarrësit të tij ishte për shkak të ndërrimit të orës, ndërsa i pyetur nga avokati Besnik Berisha se a kishte ai njohuri se a ishte ankesa e qiramarrësit reale, u përgjigj negativisht.

Edhe dëshmitari tjetër, Nazmi Rexhepi nuk ishte i kënaqur me orët Kohler.

“Ma s’pari kur e kanë ndërruar (njehsorin) mekanikun me digjital na e kanë dhanë orën “Kohler” dhe nuk na kanë pyetur fare. Unë punoj në një biznes familjar me djalin dhe kur e kanë ndërruar me orën e re, neve na ka ardhur shumë ma shumë”, tha Rexhepi.

http://kallxo.com/per-njehsoret-e-pasakte-dhe-hetimet-rreth-tyre/

Rexhepi tha se pasi që njehsori ”Kohler” ishte zëvendësuar me një orë të një firme tjetër shpenzimet i kishin ardhur rreth 100 euro më pak.

Megjithatë avokati Berisha e pyeti dëshmitarin një pyetje interesante.

“Si e shpjegon ai që me njehsor mekanik në muajin korrik 2013 ishte faturuar 234 euro ndërsa në muajin korrik 2014 me njehsorin “Kohler”, ju keni shpenzuar 207 euro?” ishte pyetja e Berishës.

Në pyetjen e Berishës dëshmitari u përgjigj se kjo ka ardhur varësisht nga konsumi i energjisë elektrike.

Ajvazi e Alidemaj, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), po akuzohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me njehsorët elektrik “Kohler”, përderisa Hamiti akuzohet për ndihmë në kryerje të veprës penale.

http://kallxo.com/gjykimi-per-njehsoret-elektrike-kohler-vleresohet-selektiv/

Pjesë e aktakuzës në këtë rast ishte edhe Blerim Sokoli që akuzohej se “si drejtor i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëveprim dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me dashje tejkaloi kompetencat e veta duke u mundësuar palëve të interesit KEDS dhe ‘Kohler’ të përfitojnë dobi kundërligjshëm”.

Sokoli nuk është më pjesë e shqyrtimit gjyqësor pasi që ka ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit AEL. TF.04-1 të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli ngarkohet se  lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

“Të gjithë të akuzuarit dhe Ari Torosoglu dhe Ali Akkan me vetëdije të plotë kanë kontribuar për të vënë në qarkullim këtë tip të njehsorit dhe duke dështuar në funksionimin konform standardeve minimale të kërkuara kanë mashtruar blerësit në rastin konkret konsumatorët e Kosovës duke u shkaktuar dëm të konsiderueshëm material,” shpjegon aktakuza.

Ndaj këtij rasti, dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë u përball me pyetjet e deputetëve se çka është ndërmarrë deri më tani që të ndriçohet ky rast.

Në maj të vitit 2015 në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për hetimet rreth njehsorëve të markës “Kohler”.

Dosja ‘Kohler’ në KALLXO.com