Dërguti: Seanca Solemne do të Ishte Seancë e Inatit

“Kemi pasur tërë sesionin vjeshtor me seanca jonormale, mos të pretendojmë se jemi kthyer në normalitet,” tha Dërguti pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kjo kryesi vendosi sot që të caktojë të premten mbledhjen e parë të sesionit pranveror të Kuvendit.

Por Kryesia nuk arriti të merret vesh për një seancë solemne në tetëvjetorin e pavarësisë.

Propozimin për ta zhvilluar një seancë të tillë solemne, Dërguti e cilësoi seancë të inatit

“Kryetarët e grupeve parlamentare LDK e PDK propozuan mbajtjen e një seance solemne, ku përveç që ishte propozim joserioz që s’mund të propozohet sot për nesër seancë, doli si propozim, si seancë e inatit meqë opozita ka thirrë protestë nesër,” tha Dërguti.

Opozita pritet të zhvillojë nesër një protestë për dorëheqjen e qeverisë dhe kundërshtimin e marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin.