Nga një seancë e gjykimit të Menderes Sinanit | Foto: KALLXO.com

Dënohet ish-Togeri Menderes Sinani

Ish-togeri në Policinë e Kosovës Menderes Sinani është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj me dënim unik prej 7 vjetësh burg. Atij gjykata gjithashtu ia ndaloi ushtrimin e ndonjë pozite publike për pesë vjet.

Në dënim atij do t’i llogaritet koha e kalimit në paraburgim. Sinanit që po gjykohej nën masën e arrestit shtëpiak, i është caktuar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Sinani që drejtonte Njësitin Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Rajonin e Ferizajt akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare, marrje e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale, moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Menderes Sinani përpara se të dënohej u shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për ushtrim ndikimi, për mosraportim të  kryesit të veprës penale, ndërsa i pafajshëm për posedim të armës dhe dhënien e ndihmës kryesit pas veprës penale.

Gjykata udhëzoi familjen e të dëmtuarit Bidajet Sylejmani që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë civile.

Dënimit i ka shpëtuar i akuzuari tjetër i këtij procesi Vahid Tahiri që është shpallur i pafajshëm për shmangie nga tatimet doganore.

Shpalljen fajtor dhe dënimin sipas ligjit të Menderes Sinanit e Vahid Tahirit i kërkoi prokurori Drew Engel në fjalën e tij përfundimtare të paraqitur më 9 shtator.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-ish-togerit/

Menderes Sinani gjatë tërë zhvillimit të procesit ka mohuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkohej, ndërsa në një seancë kishte deklaruar se po i mohohet e drejta e votës,e në një tjetër se po akuzohet ngase e kreu si duhet punën që kishte.

http://kallxo.com/akuzuari-po-mohohet-e-drejta-e-votes/

http://kallxo.com/ish-togeri-permend-hagen/

Sinani është mbajtur në paraburgim një kohë të gjatë, ndërsa në kohë të fundit i ishte caktuar arresti shtëpiak.

KALLXO.com shkroi vazhdimisht për këtë proces.