Dënimi për armëmbajtje pa leje | Foto: KALLXO.com

Dënohet Dorëzuesi Vullnetar i Armës

Zenel Salihut i ishte mërzitur arma pa leje që mbante dhe e kishte njoftuar Policinë se dëshironte vullnetarisht ta dorëzojë atë.

Policia pastaj i kishte shkuar në shtëpi dhe Salihu pa hezitim ua kishte dorëzuar armën pjesëtarëve të Policisë.

Por, pavarësisht se Gjykata Themelore në Prishtinë e mori si rrethanë lehtësuese dorëzimin vullnetar të armës, ajo e dënoi Zenel Salihun.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, Zenel Salihu u dënua me 5 muaj burgim me kusht për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Salihu në gjykatë veten e konsideroi fajtor.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem pasi që unë vullnetarisht e kam dorëzuar armën në Polici”, tha Zenel Salihu.

Ai nuk duhet të kryejë ndonjë vepër penale gjatë një viti, nëse nuk dëshiron të shkojë në burg për ta vuajtur dënimin për armëmbajtje pa leje.

Salihu akuzohej se mbante në shtëpinë e tij armë pa lejen e organit kompetent nga një datë e pacaktuar e deri në gusht të vitit 2014.