Delegacioni i dialogut takohet pa Thaçin

Anëtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë janë takuar sot me kryetarin e Kuvendit, Kadri veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, në takimin e parë për këtë vit.

“Sot filluam takimet e rregullta. Kemi thënë që do të kemi transparencë para qytetarëve, ky është takimi i parë i këtij viti. Ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur dhe njohja e Kosovës nga Serbia”, tha Veseli pas takimit.

Ndërsa bashkëdrejtuesi i ekipit kosovar në dialog, Shpend Ahmeti, tha se takime të niveleve teknike në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë më.

“Nuk kemi më dialog teknik, ky dialog rezulton me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim në OKB dhe nëse kjo nuk ndodhë asnjë nga temat nuk do të diskutohen. Kemi informuar për krijimin e 6 komisioneve për temat që do t’i diskutojmë”, tha Ahmeti.

Javën e kaluar, Ahmeti ka paralajmëruar se do të presë deri të premten që shkoi që Presidneti Thaçi t’ia dorëzojë delegacoionit kosovar dokumentet përcjellëse rreth dialogut që ai ka bërë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçi.

Sot Ahmeti la të kuptohet që nuk e ka marrë dokumentacionin e kërkuar.

“Nuk ka pasur ndonjë refuzim nga ana e Presidentit. Ai i ka treguar temat e hapura, të zhdukurit, të zhvendosurit, parimin e reciprocitetit, kishën ortodokse serbe, pranimin e artefakteve” tha Ahmeti.

Vetë Presidenti Thaçi nuk ka marrë pjesë në takim ndërsa Ahmeti e arsyetoi mungesën e tij duke thënë se “sot nuk është në Kosovë”.

“Do të kemi një dialog intenziv, por poashtu është e qartë që kjo nuk do të thotë gatishmëri e jona për kompromise të rënda. Nuk do të jetë proces i lehtë sepse po dihet qartë që do të diskutojmë tema të rënda, prandaj dua të potencoj që delegacioni shtetëror do t’i raportojë Kuvendit të gjitha ato që diskutohen”, tha Ahmeti.

Ai foli edhe për mungesën e dy partive kryesore opozitate, LDK e VV, në takim, sado që ato kanë qenë të ftuara.

“Arsyeja e delegacionit ka qenë që të ndërtohen konsensusi dhe kur të bëhet fjalë për delegacionin të kemi një emërues të përbashkët dhe jo pastaj të bëhet presion në Kuvend për nënshkim. Është e rëndëishme ata që kanë kundershtime të ulen në tavolinë, ata janë të gatshëm të ulen me Vuqiçin dhe jo me neve. Sa është logjike kjo?” pyeti Shpend Ahmeti.